Klinika e Neonatologjisë në Mitrovicë bëhet me pajisje mjekësore për foshnje

06 shkurt 2020 | 16:51

Action for Mothers and Children bashkë me organizatorët e Cycle Kosovo for Children, të enjten, dorëzuan pjesën e dytë të pajisjeve mjekësore për foshnje në repartin e neonatologjisë në spitalin e Mitrovicës.

Pajisjet u siguruan nga fondet e ngritura nga turneu vendor Cycle Kosovo for Children e cila është një ngjarje bamirëse vjetore e çiklistëve në Kosovë, që organizohet për të ngritur fonde për fondacionin Action for Mothers and Children. Kujtojmë se pjesa e parë e pajisjeve mjekësore u dorëzua në po të njëjtin spital në fund të vitit të kaluar.

Ky aktivitet i çiklistëve të Cycle Kosovo for Children i organizuar gjatë vitit 2019 ishte i gjashti me radhë dhe në të morën pjesë rreth 30 çiklistë në rrugëtimin katërditor ku u siguruan rreth 10,000 euro përmes kontributeve të kompanive, individëve dhe përmes fushatave online.

Ky aktivitet do të organizohet edhe këtë vit përgjatë muajit qershor, me ç’rast fondet e ngritura do të ndihmojnë spitale apo klinika të tjera të cilat identifikohen që kanë nevojë të mbështeten me pajisje të reja mjekësore. “Ne jemi jashtëzakonisht falënderues ndaj Cycle Kosovo for Children, të cilët çdoherë janë shprehur të gatshëm të na ndihmojnë në përmbushjen e misionit tonë. Sikurse viteve të kaluara, edhe këtë vit do të angazhohemi bashkërisht me organizatorët e CKC që të ngrisim sa më shumë fonde në mënyrë që ta ndihmojmë sistemin shëndetësor në Kosovë, me fokus të veçantë tek sektorët që mbulojnë shëndetin e nënave dhe fëmijëve”, është shprehur Vlorian Molliqaj, drejtor ekzekutiv i fondacionit Action for Mothers and Children.

Action for Mothers and Children njofton që të gjitha fondet që ngritën përgjatë vitit 2020 do të dyfishohen deri në vlerën prej 50 mijë euro, falë iniciativës së punëtorëve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë ta ketë dëgjuar…