Klose reagon pasi Messi theu rekordin e tij në Kupën e Botës

23 qershor 2026 | 11:03

Legjenda e futbollit gjerman, Miroslav Klose, ka reaguar me sportivitet pasi Lionel Messi e kaloi në listën e golashënuesve më të mirë në historinë e Kupës së Botës.

Kapiteni i Argjentinës realizoi dy gola në fitoren 2-0 ndaj Austrisë në Botërorin 2026, duke arritur në kuotën e 18 golave dhe duke u bërë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në këtë kompeticion. Klose, i cili për shumë vite mbante rekordin me 16 gola, nuk i kurseu fjalët e mëdha për yllin argjentinas.

“Messi është thjesht Messi. Gjithmonë e kam admiruar mënyrën se si gjen zgjidhje dhe si sillet si person, madje edhe në fushë. Ai gjithmonë i sillte jetë ekipit të tij”, tha ish-sulmuesi gjerman.

Klose kujtoi edhe fillimet e Messit me kombëtaren argjentinase në Kupën e Botës 2006, kur ai nuk ishte titullar i rregullt.

“Në vitin 2006, ai ishte në stol ndërsa luante Riquelme, derisa Messi fitoi atë besim. Më pas, ajo që e shndërroi futbollin dhe mënyra se si e bëri këtë, meriton vetëm respekt. I heq kapelen. Një kompliment i madh!”, u shpreh ai.

Ish-golashënuesi i Gjermanisë pranoi se gjithmonë ka qenë admirues i tetë herë fituesit të Topit të Artë dhe tha se është i lumtur që rekordi i tij tani i përket argjentinasit.

“Gjithmonë kam qenë tifoz i Messit dhe tani që ai më ka tejkaluar, duhet të them: edhe kjo është shumë, shumë bukur”, përfundoi Klose.

Messi kryeson tashmë i vetëm listën historike të golashënuesve në Kupat e Botës me 18 gola, ndërsa Klose dhe Kylian Mbappe ndajnë vendin e dytë me nga 16 realizime secili.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, mori pjesë në Forumin…