Klubi i Prodhuesve reagon ndaj vendimit të Maqedinisë për ndalimin e importit të peshkut nga Kosova

25 qershor 2019 | 13:04

Klubi i Prodhuesve të Kosovës ka reaguar ndaj vendimit që ka marrë Maqedonia Veriore për ndalimin e importit të peshkut nga Kosova, ndalesë kjo e cila vjen nga rregullorja për import dhe transit, ku listës së vendeve të treta u ndalohet importi i peshkut të gjallë i cili është për rritje apo shitje e që janë me prejardhje nga Kosova.

“Ky vendim i autoriteteve të shtetit të Maqedonisë Veriore vetëm sa e pengon edhe më shumë tregtinë mes të dy vendeve, por për Kosovën është edhe një anëtare e CEFTA-s e cila nuk respekton marrëveshjet e përbashkëta për tregti të lirë, pas Serbisë, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Shqipërisë”, thuhet në reagimin e Klubit të Prodhuesve të Kosovës.

Sipas tyre, ky vendim i dëmton drejtpërsëdrejti bizneset vendore të cilat merren me kultivimin e peshkut, pasi që Maqedonia Veriore ka qenë një ndër tregjet më të rëndësishme për shitjen e peshkut të gjallë nga prodhuesit e Kosovës. “Gjatë vitit 2018, Kosova ka eksportuar peshk të gjallë në Maqedoninë Veriore në sasi të 26 tonelatave dhe vlerë të 95 mijë eurove. Ku e në vitin 2019 vetëm në muajin Maj vlera e eksportit ka qenë 23 mijë euro, e që është disa herë më e lartë se muajt paraprak”, është theksuar në reagimin për media.

Sipas këstij reagimi, Klubi i Prodhuesve shpreh shqetësimin dhe kërkon nga autoritetet e vendit tonë që të reagojnë dhe të kërkojnë nga autoritetet maqedonase që të rishikojnë edhe një herë vendimin dhe të tregohen arsyet e vërteta të këtij ndalimi.

Njëkohësisht Klubi i Prodhuesve ka kërkuar që marrëveshjet për tregti të lirë të zbatohen dhe bllokada të tilla të cilat dëmtojnë prodhuesit kosovarë të mos jenë praktikë në të ardhmen.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkampioni i Kosovës në basketboll, Rahoveci edhe zyrtarisht ka aplikuar…