
KMDLNj akuzon Gjykatën Speciale për trajtim jodinjitoz të paraburgosurve në Hagë
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka akuzuar Gjykatën Speciale për trajtim jodinjitoz të paraburgosurve në Hagë.
Ky këshill ka vlerësuar Gjykata Speciale është duke i shkelur në mënyrë flagrante të drejtat e njeriut në raport me të paraburgosurit.
Në këtë kontekst, KMDLNj-ja ka kritikuar Specialen për moslejimin e Kadri Veselit dhe Hysni Gucatit që të marrin pjesë në varrimin e prindërve të tyre.
“Gjykata Speciale në Hagë ku mbahen të paraburgosur shtetas të Kosovës, të gjithë shqiptarë proklamon se ndaj tyre zbaton standardet më të larta të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria. Nga e shkruara në të zbatuar është një humnerë e tërë. KMDLNj vlerëson se ndaj tyre bëhen shkelje flagrante e të drejtave të njeriut në mungesë të një monitorimi efektiv dhe të pavarur. Janë lejuar disa vizita për shkaqe humanitare për Kadri Veselin dhe Hysni Gucatin për të vizituar prindërit e sëmurë rëndë dhe për të vizituar varret pasi kanë ndërruar jetë. Është interesant se as Kadri Veseli e as Hysni Gucati nuk janë lejuar nga Gjykata Speciale të marrin pjesë në ceremoninë e varrimit ndërsa nën përcjellje dhe të vetmuar janë përcjellë për ta vizituar varrin e prindit. Çfarë kuptimi dhe çfarë e drejte është vizita e varrit dhe moslejimi i pjesëmarrjes në varrim?! Sidomos kjo e humbë çdo arsye dhe logjikë në rastin e Hysni Gucatit i cili është dënuar me 4.6 vjet burgim dhe i cili nuk mund te ndikojë as në dëshmitarë, as në hetime e as në proces”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.
Sipas KMDLNj-së, Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në Hagë ka qenë shumë më i përparuar në respektimin e të drejtave të njeriut se sa është Gjykata Speciale për Kosovën, UÇK-në dhe shqiptarët.
“KMDLNj mendon se të paraburgosurit e Gjykatës Speciale nuk duhet të pranojnë këto vizita jodinjitoze ku nuk lejohen të marrin pjesë në varrim, si pjesa më e rëndësishme ndërsa lejohen të vizitohen varret thuaja menjëherë pas varrimit. Përfundimisht, nga aspekti i të drejtave të njeriut të paraburgosurit apo pengjet e Gjykatës Speciale nuk ka kush t’i mbrojë. Shteti i Kosovës më së paku”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.