KMDLNj-ja: Dënimi i Zoran Vukotiqit, shpresë për viktimat e dhunës seksuale

05 korrik 2021 | 17:29

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar pas dënimit të Zoran Vukotiqit me 10 vite burgim.

Ky këshill ka vlerësuar se ky vendim është një hap drejt realizimit të së drejtës për drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Për KMDLNj-në, ky dënim ngjallë shpresat se krimet e tilla nuk do të mbesin të pandëshkuara pavarësisht se deri më tani numri i të dënuarve është më se simbolik. KMDLNj-ja konsideron se me këtë rast është vlerësuar puna e kësaj organizate për të drejtat e njeriut për faktin se ka ndihmuar në zbardhjen e këtij rasti e që ka rezultuar me shqiptimin e dënimit”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.

Reagimi i plotë i KMDLNj-së:

KMDLNj-ja në Prishtinë, dënimin e Vukotiqit e konsideron një hap drejt realizimit të drejtës për drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, si e drejtë e njeriut dhe shpagim moral për dëmet e pakompensueshme që i janë bërë këtyre viktimave.

Dhunimi seksual përveç si krim lufte në Kosovë ka pasur edhe karakter etnik.

Për KMDLNj-në, ky dënim ngjallë shpresat se krimet e tilla nuk do të mbesin të pandëshkuara pavarësisht se deri më tani numri i të dënuarve është më se simbolik.

KMDLNj-ja konsideron se me këtë rast është vlerësuar puna e kësaj organizate për të drejtat e njeriut për faktin se ka ndihmuar në zbardhjen e këtij rasti e që ka rezultuar me shqiptimin e dënimit.

KMDLNj-ja shpreson dhe beson se ky dënim nuk do të mbetet rast i izoluar por se do të dënohen edhe dhunuesit tjerë aq më parë që krimet e luftës nuk vjetërsohen asnjëherë kurse dhunimi seksual që përdoret si mjet për arritjen e qëllimeve politike dhe ushtarake është kualifikuar si krim lufte.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një variant i ri dhe më i egër i koronavirusit…