KMDLNj-ja i reagon Cramonit: Serbët në Kosovë janë më të privilegjuar se shumica absolute

16 janar 2024 | 16:26

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, derisa ishte në vizitë në Kosovë, konkretisht në manastirin e Graçanicës, ka deklaruar se të gjitha objektet fetare si dhe trashëgimia kulturore janë pronë e Kishës Ortodokse Serbe, duke e përjashtuar Kosovën krejtësisht nga kjo e drejtë. Po ashtu, ajo ka thënë se serbët janë duke u trajtuar si qytetarë të rangut të dytë.

Ndaj kësaj deklarate, ka reaguar ka reaguar Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), duke e cilësuar deklaratën e Cramonit si politike për të ledhatuar egon e kishës serbe.

“Natyrisht se kjo ishte deklaratë politike për të ledhatuar egon e kishës ndryshe do të duhej të ishte më e rezervuar në këto deklarata që vetëm shkaktojnë fërkime të panevojshme ndërfetare dhe ndëretnike. Pastaj, që sa është e pavërtetë, është edhe skandaloze deklarata e saj se: “në bazë të bisedës me përfaqësuesit e serbëve ka dëgjuar se ata ndjehen si qytetarë të rendit të dytë…”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.

Sipas KMDLNj-së, serbëve në Kosovë nuk i mohohet asnjë e drejtë që i takon sipas ligjeve në fuqi, “ madje në shumë fusha janë më të privilegjuar se shumica absolute e që janë shqiptarë kurse pakicat tjera nacionale në Kosovë janë jashtëzakonisht të diskriminuara krahasuar me serbët”.

“Serbët e nuk kanë paguar që nga përfundimi i luftës faturat për rrymë, mbeturina, ujë, tatim në pronë dhe shërbime tjera sikur që as sot e kësaj dite nuk i paguajnë këto fatura në veri të Kosovës. Për vite të tëra marrin rroga nga buxheti i Kosovës pa punuar edhe as një ditë të vetme. Dhuna ndëretnike është në nivelin më të ulët të mundshëm dhe shumë më i ulët se në vendet e rajonit përfshirë këtu edhe Serbinë. Vendet e punës në gjyqësor, prokurori, polici, FSK dhe institucionet tjera buxhetore nuk i kanë lëshuar për shkaqe ekonomike, por sipas kërkesës politike të Beogradit”, është thënë në këtë reagim.

Më tutje, KMDLNj-ja ka përmendur faktin se serbët në veri të Kosovës, por edhe në pjesët tjera të vendit kanë ndërtuar një sistem arsimor me kurikula të Serbisë dhe një jetë paralele ekonomike dhe politike.

“Viola von Cramon nuk është aspak korrekte gjatë raportimit dhe me qëndrimet e saj trimëron serbët që të mos integrohen në institucionet e Kosovës. Në këtë funksion janë edhe deklaratat e saj gjatë vizitës së fundit në Kosovë e që e bie në dyshim serioz raportimin e saj për një qëndrim të paanshëm, të pandikuar dhe të pavarur që do të duhej të ishte misioni i saj si raportuese e Parlamentit Evropian për Kosovën”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trupat e KFOR-it kanë treguar anën e tyre humanitare duke…