KMDLNj: Publikimi i listave për veteranët, shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut

18 shtator 2018 | 12:20

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) përmes një komunikate për medie ka vlerësuar se publikimi i listave me veteranë mashtrues por edhe me veteranë të vërtetë, është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut.

“Publikimi i listave të veteranëve që dyshohen të jenë mashtrues, e të gjitha të dhënat personale, pa një vendim të gjykatës kompetente, përveç se paraqet shkelje të rëndë të Ligjit për ruajtjen e të dhënave personale, në të njëjtën kohë paraqet shkelje flagrante të drejtave të njeriut i cili është i dënueshëm me të gjitha ligjet dhe dokumentet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ndërkombëtare dhe kombëtare. Për më keq, në këto lista, tash të zgjeruara ka emra, kontributi i të cilëve nuk mund të kontestohet me asgjë në luftën e fundit në Kosovë”, është thënë në komunikatën e KMDLNj-së.

Sipas KMDLNj-së, linçimi dhe degradimi publik i kontribuuesve të pamohueshëm në luftën çlirimtare është bërë nga ata që me ligj dhe në zbatim të ligjit janë të detyruar t’i mbrojnë këto të drejta.

“Dhe thirrja e tyre që të lajmërohen në prokurori a gjykatë për t’i përmirësuar këto ‘gabime’ që shkaktuan reagime të shumta plotësisht të drejta dhe të arsyeshme nga kontribuesit e vërtetë apo veteranë të vërtetë të luftës çlirimtare dhe të cilët, me qëllim apo pa qëllim u barazuan me veteranët mashtrues. Këto lista të paverifikuara, të sajuara shkel e shko dhe pa vendim të gjykatës që do ta vërtetonin gjendjen faktike ngritën tensione të shumta në Kosovë sikur që krijuan situata që e rrezikojnë jetën dhe të prokurorisë  dhe gjyqësorit ashtu  edhe të atyre që janë në lista”, thuhet në komunikatën e KMDLNj-së.

KMDLNj ka kërkuar të vazhdojë procedura gjyqësore ndaj atyre që kanë përfituar kundërligjshëm nga statusi i veteranëve mashtrues si dhe ndaj atyre që ua kanë mundësuar këtë veprim, pa ndërhyrje politike dhe pa ndërhyrje të grupeve tjera të interesit.

“KMDLNj është kundër faljes për veteranët mashtrues dhe nëse gjykata kompetente e vërteton fajësinë e tyre, ata duhet të dënohen në përputhje me ligjin sikur që duhet të detyrohen t’i kthejnë mjetet që i kanë përvetësuar në saje të mashtrimit. Në këtë rast, në asnjë mënyrë nuk do të duhej të kalojnë të pandëshkuar ata që i futën në lista veteranët vërtetë të UÇK-së sikur edhe ata që i dorëzuan listat medieve elektronike e që e shkaktuan tërë këtë rrëmujë që ka tendencë destabilizimi të situatës”, është thënë ndër të tjera në këtë komunikatë.

KMDLNj ka ftuar të gjitha palët të përmbahen nga fjalori i dhunshëm, të mos e tensionojnë edhe më shumë situatën, të mos fyejnë familje dhe familjarë dhe të drejtën e tyre ta kërkojnë duke respektuar ligjet në fuqi.

/Epoka e re/

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Versioni zyrtar i iOS12 është lëshuar  nga “Apple” për të…