KMDLNj: RTK shkeli brutalisht të drejtat e njeriut, gazetaret u larguan nga puna nga një mercenar

16 shkurt 2026 | 13:52

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar ashpër ndaj Radiotelevizionit të Kosovës për largimin e punës së dy gazetareve, Edina Avdiu dhe Hana Marteti.

Madje, në reagimin e KMDLNj-së, u.d. i kryeredaktorit Blerim Haxhijaj akuzohet të jetë “kurdisur të zbatojë urdhëra politikë në një medium që sipas aktit të themelimit do të duhej të ishte medium publik e jo pikë e partisë në pushtet”.

Reagimi i plotë i KMDLNj-së:

RTK – SHKEL BRUTALISHT TË DREJTAT E NJERIUT!

Gazetaret e RTK-së, Edina Avdiu dhe Hana Marteti u larguan nga puna nga Blerim Haxhijaj që si u.d. i kryeredaktorit është kurdisur të zbatojë urdhëra politik në një medium që sipas aktit të themelimit do të duhej të ishte medium publik e jo pikë e partisë në pushtet. Po ky u.d., mercenar që kryen ekzekutime të vendimeve të pushtetit duke larguar, suspenduar, degraduar dhe keqtrajtuar gazetarë përmes presioneve psikologjike edhe më parë ka larguar apo suspenduar gazetarë të RTK-së. Dhe të gjitha rastet i ka humbur. Ta largosh një të punësuar nga puna sepse thjesht pas 3 vjetëve përvojë pune, pa vërejtje në cilësinë e punës, nuk i vazhdohet kontrata kurse në ndërkohë e terrorizoni me presion dhe kërcënim, e tregon qartë se është vendim dhe ekzekutim politik, diferencim si në kohën e ish – Jugosllavisë.

KMDLNj – e vlerëson se me këtë përjashtim nga puna, është shkelur Ligji i Punës dhe rrjedhimisht kemi të bëjmë me shkelje të rëndë të drejtave të njeriut. Gjithashtu, me këtë përjashtim nga puna po rrezikohet edhe statusi i sinjalizuesve.

KMDLNj –  thërret të gjitha mediat të solidarizohen me gazetaret Edina Avdiu dhe Hana Marleti, ndryshe spiralja e hakmarrjes vetëm da do të rritet.

KMDLNj – thërret Komisionin Parlakëmentar për Media të reagojë dhe ndërmerr vendime në përputhje me mandatin që e ka.

KMDLNj – thërret Sindikatën e Pavarur të RTK-së që të përkrahë gazetaret që për shkaqe politike e jo profesionale po largohen nga puna duke mbrojtur në këtë mënyrë anëtarët e saj.

Me largimin nga puna e gazetarëve cilësorë të RTK-së dhe nënshtrimin ndaj pushtetit , konformistët e stafit menaxherial të RTK – së strategjikisht dhe pakthyeshëm po e dëmtojnë këtë medium publik.

Nëse vazhdohet në këtë mënyrë edicioni kryesor i lajmeve do të fillojë dhe përfundojë me: “Ju flet Dejona , ju flet Dejona ….”. Si dikur Hajrije Spikerica.

KMDLNj – kërkon hetime ndaj u.d. të dhunshëm të RTK-së, Blerim Haxhijaj për shkak të shkeljeve të rënda profesionale.

KMDLNj – fuqishëm përkrahë gazetaret e larguara nga shkeljet e drejtave elementare të njeriut siç është e drejta për punë dhe trajtimit degradues që iu bëhet nga punëdhënësi përkatësisht nga u.d . Blerim Haxhijaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me rastin e 100-vjetorit të Lekut në qarkullim monetar, Banka…