KMDLNj: Të hetohet me urgjencë vdekja e katërvjeçares

22 shkurt 2024 | 15:21

Një katërvjeçare ka vdekur në QKUK më 19 shkurt, dy ditë pasi ishte sjell nga Spitali i Gjakovës për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka bërë thirrje që të hetohet me urgjencë vdekja e katërvjeçares.

“Kjo ngjarje e rëndë ngre pikëpyetje serioze për përmbushjen e përgjegjësive njerëzore, mjekësore etike të profesionistëve të kujdesit shëndetësor. Sipas raportimeve dhe dyshimeve të ngritura nga prindërit e vajzës të cilat janë transmetuar në medie, e ndjera dyshohet se ka pësuar një sulm nga dy fëmijë të tjerë, duke u goditur me forcë në pjesën e shpinës dhe gjoksit, gjë që ka çuar edhe në rrëzimin e saj në rrugë. Megjithë gjendjen e rënduar të fëmijës, prindërit janë shprehur se përgjigja mjekësore ndaj gjendjes së saj ka qenë e pamjaftueshme dhe jo në përputhje me standardet profesionale. Prindërit pretendojnë se gjatë se kanë kërkuar disa herë ndihmë mjekësore për vajzën e tyre, por kanë marrë vetëm disa këshilla sipërfaqësore nga ekipi mjekësor, duke nënvlerësuar gjendjen e saj. Sipas prindërve, vajza nuk ka marrë një ekzaminim të plotë mjekësor dhe trajtimi i duhur i saj është neglizhuar duke shkaktuar fatalitet, gjë që ngre shqetësim dhe pikëpyetje të thella në lidhje me etikën profesionale të personelit mjekësor”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.

KMDLNj bën thirrje që institucionet përgjegjëse në përmbushje të mandatit të tyre, të trajtojnë me prioritet absolut rastin dhe të ndërmarrin në mënyrë të menjëhershme veprimet dhe masat e nevojshme sipas legjislacionit në fuqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Dukagjinit ka shënuar fitore në minutat shtesë në…