Koalicioni Nisma – AKR do të jetë befasia e zgjedhjeve

30 gusht 18:27

Ish-deputeti i Nismës Socialdemokrate, Zafir Berisha, ka bërë me dije se lidhja e koalicionit parazgjedhor Nisma – AKR ka formuar një bosht të ri politik i cili ka krijuar një shpresë të re për qytetarët e Kosovës.

Ai ka deklaruar se ky koalicion do të jetë befasia e këndshme e zgjedhjeve të 6 tetorit.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Berisha ka treguar se përkrahja që po gëzon te qytetarët po e bën këtë koalicion serioz për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

“Ne jemi të bindur se do të jemi befasia më e këndshme e këtyre zgjedhjeve. Po ashtu, jemi të sigurt se pa Nismën nuk do të këtë qeveri, kurse sa i përket të parit, aty do të vendosë sovrani më 6 tetor, kur do të mbahen zgjedhjet. Përkrahja e madhe e elektoratit dhe mobilizimi i strukturës së Nismës kanë bërë që ky koalicion të jetë subjekt serioz në zgjedhjet e 6 tetorit dhe të jetë ajo befasia e këndshme që e presin të gjithë”, ka thënë Berisha.

Ai ka vlerësuar se ky koalicion po pritet mirë nga elektorati i të dy subjekteve politike. Sipas Berishës, ky bashkim i subjekteve politike do të jetë një shpresë e re për qytetarët e vendit. “Mendoj se tashmë edhe qytetarët e kanë kuptuar se Nisma dhe partitë që po ofrohen me Nismën janë një bosht i ri politik, një shpresë e re për institucionet e Kosovës pas zgjedhjeve. Kjo edhe për faktin se lidershipi i Nismës në të gjitha periudhat e rëndësishme për Kosovën ka qenë i vendosur dhe i guximshëm në shërbim të qytetarëve”, është shprehur ai.

Berisha ka mohuar mundësinë që ky koalicion në çastet e fundit t’i bashkohet ndonjë subjekti tjetër të madh politik. Ai është shprehur i bindur se në KQZ do të regjistrohen si koalicion dhe kandidat i tyre për kryeministër do të jetë Fatmir Limaj.

“Jo, në asnjë mënyrë. Këtë as në ëndërr nuk është duke e parë ndokush. Nisma tashmë është përcaktuar për këtë çështje. Natyrisht se gjatë këtyre 24 orëve të fundit mund të pritet që t’i bashkohet Nismës ndonjë subjekt më i vogël politik. Përndryshe, ne të premten në orën 24:00 do të aplikojmë në KQZ me kandidatin tonë për kryeministër, z. Fatmir Limaj”, ka deklaruar Berisha.

“Epoka e re”: Z. Berisha, Nisma Socialdemokrate ka arritur koalicion parazgjedhor me AKR-në. Cili është qëndrimi juaj rreth këtij koalicioni?
Berisha: Mendoj se tashmë edhe qytetarët e kanë kuptuar se Nisma dhe partitë që po ofrohen me të janë një bosht i ri politik, një shpresë e re për institucionet e Kosovës pas zgjedhjeve. Kjo edhe për faktin se lidershipi i Nismës në të gjitha periudhat e rëndësishme për Kosovën ka qenë i vendosur dhe i guximshëm në shërbim të qytetarëve. E them këtë sepse institucionet që pritet të dalin nga zgjedhjet e 6 tetorit janë institucione që kanë për të vendosur përfundimisht fatin e Kosovës në raport me temat që janë të hapura me armikun shekullor të Kosovës, Serbinë. Besoj se këtë e kanë kuptuar edhe qytetarët, por edhe disa prej partive politike siç është AKR-ja.

“Epoka e re”: Pra, mendon se elektorati i këtyre dy subjekteve e ka mirëpritur lidhjen e këtij koalicioni?
Berisha: Mund të flas me kompetencë se strukturat dhe mbështesnit e Nismës Socialdemokrate e kanë pritur jashtëzakonisht mirë këtë koalicion, sepse Nisma si subjekt që ekziston për një periudhë të shkurtër në skenën e Kosovës është parti e besueshme deri në atë shkallë saqë edhe subjektet e tjera po i besojnë dhe po i bashkohen. Kjo me të vërtetë është një simbolikë domethënëse për Nismën Socialdemokrate.

“Epoka e re”: Mirëpo i dimë kritikat që lidershipi i Nismës ka pasur dikur ndaj lidershipit të AKR-së. A mund të ndikojnë këto tek elektorati?
Berisha: Përplasje ka pasur me Mimozën e jo me Pacollin. Me Pacollin më pak. Tashmë përplasjet në mes të lidershipit të partive të ndryshme janë të njohura për skenën politike të Kosovës. Nuk mendoj se ato përplasje kanë qenë aq substanciale saqë Nisma e AKR-ja të kenë vija të kuqe. Pastaj, kjo ka ndodhur në njoh kohë kur fare nuk ka ekzistuar Nisma si subjekt politik. Dhe, siç dihet, përcaktimi politik i Nismës është se nuk ka vija të kuqe për asnjë subjekt politik i cili e dëshiron Kosovën në situatë më të mirë politike dhe ekonomike. Besoj se tashmë e kanë kuptuar të gjithë se Nisma është subjekt i këndshëm politik dhe i pranueshëm për të gjithë.

“Epoka e re”: Cila do të jetë oferta e këtij koalicioni për qytetarët? Me çfarë premtimi gjatë fushatës ky koalicion do ta kërkojë votën e elektoratit?
Berisha: Besoj se oferta e Nismës me programin e saj është në përfundim e sipër. Kjo ofertë do të jetë shumë e pranueshme për qytetarët e Kosovës, por më e pranueshme do të jetë kandidatura e z. Limaj si kryeministër i ardhshëm i Kosovës. Limaj deri më tani është dëshmuar për guxim dhe vendosmëri në shërbim të Kosovës dhe interesave të qytetarëve të saj.

“Epoka e re”: Nga pesë pretendentët për kryeministër, z Limaj i ka gjasat më të vogla për ta marrë atë post. Cilat janë pritjet tuaja për këto zgjedhje?
Berisha: Jemi të bindur se do të jemi befasia më e këndshme e këtyre zgjedhjeve. Po ashtu, jemi të sigurt se pa Nismën nuk do të ketë qeveri, kurse sa iu përket partive, aty do të vendosë sovrani më 6 tetor, kur do të mbahen zgjedhjet. Përkrahja e madhe e elektoratit dhe mobilizimi i strukturës së Nismës kanë bërë që ky koalicion të jetë subjekt serioz në zgjedhjet e 6 tetorit dhe të jetë ajo befasia e këndshme që e presin të gjithë.

“Epoka e re”: Afati i fundit për regjistrimin e subjekteve politike dhe koalicioneve në KQZ është të premten në mesnatë. A mund të presin që në minutat e fundit ky koalicion t’i bashkohet PDK-së apo ndonjë subjekti tjetër politik?
Berisha: Jo, në asnjë mënyrë. Këtë as në ëndërr nuk është duke e parë kush. Nisma tashmë është përcaktuar për këtë çështje. Natyrisht se gjatë këtyre 24 orëve të fundit mund të pritet që t’i bashkohet Nismës ndonjë subjekt më i vogël politik. Përndryshe, të premten në orën 24:00 do të aplikojmë në KQZ me kandidatin tonë për kryeministër, z. Fatmir Limaj.

Muhamet KOCI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Duke qenë se ofron shërbimet më të mira në vend,…