Koalicioni po funksionon, s’ka zgjedhje të reja

01 prill 12:59

Shefi i grupit parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ahmet Isufi, ka bërë me dije se koalicioni qeverisës është funksional dhe po i kryen obligimet që ka marrë.

Ai ka thënë se brenda koalicionit ka vetëm mendime të ndryshme për çështje të caktuar dhe nuk ka ndonjë krizë e cila mund ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Isufi ka deklaruar se këto dallime ndërmjet partnerëve mund të tejkalohen.

“Ndonjëherë ka nuanca të mendimeve të partnerëve politikë, sepse për këtë arsye ne funksionojmë si parti politike. Megjithatë, konsiderojmë se koalicioni qeverisës është funksional dhe po vazhdon bashkëpunimin në mes të liderëve për shkak të përgjegjëseve të përbashkëta shtetërore që kanë. Prandaj, ndonjë dallim eventual që mund të jetë, nuk do të thotë se është zbehje e raporteve të funksionimit në mes të partnerëve qeverisës”, ka thënë Isufi.

Ai ka vlerësuar se ajo që i bashkon liderët e koalicionit qeverisës është interesi shtetëror. Sipas Isufit, dallimet mes tyre mund të eliminohen duke komunikuar partnerët më shumë mes vete.

“Këto dallime në ndonjë çështje në mes të partnerëve të koalicionit qeverisës mund të kalohen duke komunikuar në mënyrë institucionale liderët politikë. Meqenëse kemi të bëjmë me çështje kapitale për vendin, atëherë duhet të ketë më shumë komunikim të brendshëm në mënyrë që të mos reflektojnë në opinion mendimet e tilla kundërthënëse”, është shprehur Isufi.

Shefi i grupit parlamentar i AAK-së nuk beson se vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të reja këtë verë. Isufi ka deklaruar se nuk shihet interesim për zgjedhje të reja as te dy partitë më të mëdha opozitare të cilat po kërkojnë zgjedhje.

“Njëherë përnjëherë nuk ka shenja të ndonjë krize institucionale apo të koalicionit qeverisës. Edhe pse opozita deklarativisht po thekson nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të reja, ajo nuk është e gatshme të hyjë në zgjedhje, sepse ka zgjedhje të brendshme dhe ka pasur qarje brenda subjekteve politike. Prandaj, duke e pasur një opozitë të çakorduar, nuk është koha për zgjedhje të parakohshme”, është shprehur Isufi.

“Epoka e re”: Z. Isufi, si po funksionon koalicioni qeverisës sepse, për shkak të dallimeve të partnerëve rreth vendimit për taksën 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës, është krijuar përshtypja se nuk është duke shkuar si duhet koalicioni?
Isufi: Koalicioni qeverisës është duke funksionuar mirë, megjithëse ka dallime rreth taksës prej 100 përqindësh ndaj mallrave të Serbisë. Siç dihet, vendimin për taksën e ka marrë Qeveria dhe është në dorë të saj dhe kryeministrit Haradinaj që të vendosë për këtë çështje.

“Epoka e re”: Mendoni se duhet të mbetet edhe më tutje taksa përkundër kërkesës së partnerëve të koalicionit dhe partnerëve ndërkombëtarë për ta suspenduar atë?
Isufi: Taksa ndaj produkteve të Serbisë do të vazhdojë të qëndrojë derisa Serbia të mos e ndalë ofensivën diplomatike ndaj shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, si dhe derisa Serbia t’i ndalë ndërhyrjet në territorin e Kosovës, duke manipuluar me popullatën serbe këtu.

“Epoka e re”: Mospajtimet e partnerëve të koalicionit qeverisës për këtë çështje, mund të ndikojnë në punën e qeverisë?
Isufi: Kjo nuk e pengon angazhimin e përbashkët të partive politike në koalicionin qeverisës. Ka tema që ndërlidhen me zbatimin e programit qeverisës që në një farë forme e bën homogjene qeverisjen. Dhe vendimet që janë marrë në këtë qeveri, normalisht se kanë ndikuar që të forcohet bashkëpunimi ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës.

“Epoka e re”: Por që një kohë nuk janë parë bashkë në ndonjë aktivitetet Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj. A mund të thuhet sa ka ftohje të raporteve mes tyre?
Isufi: Ndonjëherë ka nuanca të mendimeve të partnerëve politikë, sepse për këtë arsye ne funksionojmë si parti politike. Megjithatë, konsiderojmë se koalicioni qeverisës është funksional dhe po vazhdon bashkëpunimi mes liderëve për shkak të përgjegjëseve të përbashkëta shtetërore që kanë. Prandaj, ndonjë dallim eventual që mund të jetë, nuk do të thotë se është zbehje e raporteve të funksionimit në mes të partnerëve qeverisës.

“Epoka e re”: A mund të tejkalohen këto dallime në mes të partnerëve të koalicionit qeverisës?
Isufi: Këto dallime në ndonjë çështje në mes të partnerëve të koalicionit qeverisës mund të kalohen duke komunikuar në mënyrë institucionale liderët politikë. Meqenëse kemi të bëjmë me çështje kapitale për vendin, atëherë duhet të ketë më shumë komunikim të brendshëm në mënyrë që të mos reflektojnë në opinion mendimet e tilla kundërthënëse.

“Epoka e re”: Këto ftohje të raporteve në mes të partnerëve të koalicionit qeverisës, opozita dhe njohësit e rrethanave politike në vend po i shohin si mundësi për të shkuar në zgjedhje të parakohshme?
Isufi: Opozita e ka për obligim ta korrigjojë qeverinë, pra t’i gjejë gabimet e saj dhe ta kritikojë atë. Por, njëherë përnjëherë nuk ka shenja të ndonjë krize institucionale apo të koalicionit qeverisës. Edhe pse opozita deklarativisht po thekson nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të reja, ajo nuk është e gatshme të hyjë në zgjedhje, sepse ka zgjedhje të brendshme dhe ka pasur qarje brenda subjekteve politike. Prandaj, duke e pasur një opozitë të çakorduar, nuk është koha për zgjedhje të parakohshme.

“Epoka e re”: Pra, jeni të bindur se këtë verë nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme?
Isufi: Sipas dinamikës që është duke vazhduar, nuk shihet interesim për zgjedhje të parakohshme as nga ata që po kërkojnë.

Muhamet KOCI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Robin Thicke duket se ka marrëdhënie të mira me ish-bashkëshorten…