Kod i veçantë i të rrëfyerit

18 nëntor 2025 | 08:19

Sadik Krasniqi

Arif Molliqi, Simfonia për darkën e qenit, Faik Konica, Prishtinë, 2012

Sintagma Simfonia për darkën e qenit si shenjë titulli i një grafiti është semantikë e një semiotike të një kodi të veçantë të të rrëfyerit të subjektit në romanin më të ri të Arif Molliqit. Edhe në këtë roman konstrukti strukturor i të rrëfyerit të lëndës letrare zhvillohet përmes kapitujve të përnumëruar, të cilët, edhe me divergjencën dhe veçantitë në vetvete, krijojnë unitetin dhe kontinuitetin e shqyrtimit tematik.

Subjekti në këtë roman i rrëfyer në këtë mënyrë mund të kuptohet dhe të zbërthehet vetëm përmes një leximi të vëmendshëm. Arif Molliqi është një krijues i konsoli­duar dhe konceptual si poet dhe si romansier. Ai tashmë ka krijuar stilin dhe sistemin e vet autorial, që përkon me origjinalitet dhe veçanti. Këto tipare krijuese i hasim edhe në romanin e tij Simfonia për darkën e qenit. Edhe në këtë roman, si në romanin e mëparshëm Gruaja e vizatuar nudo, trajtohet tema, gjegjësisht enigma e kryerjes së një krimi. Por në veprën e re ky krim për ironi nuk është krim ndaj një qenieje njerëzore, por krim ndaj një qeni. E si grotesk ky “krim” reflektohet me pasoja tragjike te njeriu. Diku në një kazermë ushtarake afër qytetit D bëhet vrasja e një qeni ushtarak. Duke qenë se është qen ushta­rak, kjo vrasje konsiderohet krim dhe merr konotacione politike. Në kohën e vrasjes së qenit, në kazermën e Shkozës, njëko­hësisht ndodhin edhe disa gjëra tragjike që mbulohen me një konspiracion të hekurt ushtarak. Në këtë krim e implikojnë Zog Shkozën.

Zog Shkoza është kryepersonazhi i romanit, një perso­nalitet me karakter tejet kompleksiv, enigmatik dhe të çuditshëm, me një të kaluar të hidhur dhe tragjike të shkaktuar nga sistemi totalitar komunist. Pesonazhet që bartin mbi vete rrëfimin fabular të romanit dhe që kanë raporte të caktuar me personazhin kryesore të kësaj vepre janë edhe Keqan Krasta, Eva, Zakja, Zari Krasta, Oficeri, togeri hetues, ushtari etj., të cilët si karaktere dhe më të bëmat e tyre përbëjnë secili histori në vete. Gjithë ky kompleksitet rrëfimor përmes ngjarjeve, situatave kara­ktereve, përshkrimeve, gjykimeve, koordinohet përmes rrëfyesit, gjegjësisht shkruesit të kësaj kronike. Autori, edhe pse që në fillim të romanit na vë në pah këtë për­shkrues dhe raportin e tij me heroin e këtij romani, ngjarja zhvillohet jo si e përshkruar, por si jetuar.

Simfonia për darkën e qenit është roman personazhi. Themi kështu duke pasur parasysh nuancat e personali­tetit të kryepersonazhit në këtë vepër.

Zog Shpati është një person i përmbysur në situatë psikologjike, një neurotik i përshkalluar deri në gjendjen obsesionale. Historia e Zog Shkozës është histori shpirtë­rore e mbyllur dhe e ndrydhur brenda qenies së tij. Ai është viktimë e një faji të pabërë. Peripecitë e tij nëpër labirintet ndëshkimore ngjasojnë me ndëshkimet e heroit Piro tek Ishulli i pinguinëve të Anatol Fransit. Andaj Zogu si Piroi është fajtor meqenëse është dënuar. Edhe pse vrasja e qenit sqarohet nga dëshmitari Omeri i Pal Lumit përmes rrëfimit të ushtarit, i cili tregon edhe për krimet që janë bërë në atë kazermë ndaj gruas së përdhunuar nga ushtarët e shfrenuar dhe psikopatë. Skena e për­shkruar në atë bordel është një nga pamjet më të tmerrshme surrealiste në gjithë letërsinë shqipe. Diskursi prozaik i Molliqit është shumë i pasur. Ofron kënaqësi në të lexuar me mundësi të shumta interpretimi.

Te romani Simfonia e darkës së qenit gjejmë elemente të stilit postmodern: doble codin, intertekstualitetin, ironinë, fiktivën, dokumentaritetin, citatshmërinë etj. Duke pasur parasysh këtë diskurs tekstual, ky roman mundëson perceptim dhe lexim të lexuesve të dy nive­leve, atij semantik dhe semiotik. Lexuesit semantik i afron një fabulë përmbajtjesore mjaft atraktive me ngjarje dhe situata lehtë të kuptueshme që lexohen me një kureshtje dhe një frymë, ndërsa lexuesi i nivelit kritik, eseistik apo semiotik (sipas Umberto Ecosë), ka brumë të mjaftue­shëm për një qasje lexueshmërie analitike dhe interpre­tuese. Nëse kihet parasysh koha dhe ngjarja e subjektit tematik (ndodh në një vend dhe kohë reale) dhe momenti i të shkruarit të romanit (në një vend dhe kohë tjetër), mund të thuhet se ky roman është një palimpsest. Është një palimpsest i shkruar mbi pergamenën e kujtimit dhe evokimit të një kohe të tmerrshme. Ky roman nuk na del një kronikë syzheiste e të rrëfyerit të thjeshtë linear.

Në këtë vepër letrare Molliqi fut shumë elemente, që e bëjnë këtë roman të jetë i stilit të mirëfilltë postmodern.

Intertekstualiteti realizohet efektshëm me anë të citat­shmërisë. Citohet Niçe për ta vënë në pah shtazaraken njerëzore si dhe poeti i persekutuar Visar Zhiti për ta ilu­struar linçimin intelektual nga regjimi totalitar.

Ironia është shumë e shpeshtë në këtë roman, sidomos përmes gojës së Zakës për qentë dhe kinezët. Madje vetë sjellja e kryepersonazhit në procesin gjyqësor është iro­nike si te personazhet e romaneve klasike postmoderne që trajtojnë fajin absurd ose fajin pa faj. Fiktivja dhe imagjinativja ndërtohen në këtë syzhe përmes stisjes të teatrit të sojit të veçantë dhe lojës teatrore përmes hijeve të qenve ku dominon absurditeti përmes groteskes që, njëherësh, është edhe metaforë. Bota psikologjike në këtë vepër vihet në pah përmes anktheve dhe maktheve, gjysmëndrrave dhe agonive, kryesisht në psikopatinë e pushtuesve, veçanërisht shquhet tabloja e tmerrit të ofi­cerit serb dhe shëtisë së tij vegimore nëpër kullën mistike shqiptare.

Ky roman përgjithësisht ka një atmosferë të zymtë siç ishte vetë realiteti i asaj kohe. Zymtësinë e këtij romani e zbutë futja e erotikës, gjegjësisht dashuria e Zogut me Evën. Kjo dashuri me intimitetin vizual lënë mbresa të veçanta te lexuesi. Të gjithë shkrimtari arrin ta procedojë brenda një romani me jo shumë faqe në saje të stilit të tij të lartë, përmes një gjuhe të qartë dhe shumë të pasur e të pastër. Këtë autori e arrin ta bëjë sipas parimit të Sartrit, se stili është një ekonomi fjalësh.

Arif Molliqi është ndër autorët e rrallë që, edhe pse jeton bukur gjatë në mërgim, krijon zhanre letrare që duan angazhim dhe energji të madhe krijuese siç janë romanet, tematika e të cilëve është nga vendlindja.

Duke u bazuar në numrin e veprave të botuara nga ky autor në të gjitha gjinitë dhe në nivelin e lartë artistik që kanë ato, shpesh të vlerësuara lart nga kritika e të shpërblyera me çmime letrare, mund të konkludojmë që Arif Molliqi është një ndër autorët më serioz që po hyn dhe po bëhet emër i njohur në letërsinë shqiptare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sadik Krasniqi Poezia Kaftjalli e Preverit është tërësisht e zhveshur…