
Koha e bllokadës duhet të mbaroj: Kosova ka nevojë për rikthim te normaliteti institucional
Shkruan: Hisen Berisha
Kosova nuk mund të mbetet peng i interpretimeve të ndryshme juridike. Institucionet duhet të funksionojnë. Kuvendi duhet të konstituohet, qeveria të testohet në sallën e Kuvendit, dhe çdo paqartësi ligjore të sqarohet nga Gjykata Kushtetuese. Çdo vonesë e panevojshme dëmton qytetarët dhe e pengon rrugëtimin e vendit drejt përmbylljes së dialogut me ratifikimin e kufijve ndërkombëtar të shtetit dhe procesit të integrimeve euro-atlantike.
Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese duhet të shënoj një moment kthese. Ai duhet ta rikthej rendin kushtetues në binarët e tij natyralë, duke i kujtuar qeverisë/mazhorances, se asnjë pushtet nuk është mbi ligjin dhe se asnjë manovër politike nuk mund të justifikojë shkeljen e normave të sjelljes kushtetuese, afateve dhe procedurave.
Ky vendim vulosi fundin e një skenari të paramenduar për bllokim institucional dhe dëshmoi se institucionet e pavarura mbeten gardianët e demokracisë dhe të Kushtetutës.
Seanca e fundit e Kuvendit i vuri vulën krizës së shumicës. Përballë vendimit të Kushtetueses, Kuvendi dëshmoi se qeveria nuk gëzon më as unitetin e brendshëm.
Moskalimi në votim i kandidateve të propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje – nuk është thjesht një dështim teknik. Ai është një sinjal politik i qartë se shumica/koalocioni fitues i zgjedhjeve te 9 shkurtit – e ka humbur legjitimitetin e brendshëm dhe autoritetin moral për të udhëhequr.
Qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës ka qenë i prerë dhe parimor: nuk do të votojë ministra të propozuar nga VV që janë të penalizuar për korrupsion, krim të organizuar ose që nuk gëzojnë integritet politik e njerëzor qofshin edhe nga radhët e deputetëve. Ky qëndrim e thellon edhe më shumë dështimin e shumicës aktuale, e cila nuk arrin të sigurojë besueshmëri as për kandidatët e vet.
Kjo situatë e zhvesh qeverinë nga çdo pretendim për stabilitet. Një shumicë që nuk arrin të kalojë votimet e veta të brendshme nuk mund të pretendojë se përfaqëson vizion për vendin. Ajo nuk ka më as kohezion të brendshëm dhe as kapacitet për të udhëhequr në sfidat e mëdha që presin Kosovën.
Albin Kurti, që pretendon se është zëri i vullnetit qytetar, sot është shndërruar në simbol të kontradiktës politike. Qesharak e bën fakti se një kryeministër që ka dështuar mbi 50 herë të kalojë kandidaturat e veta, vazhdon të sillet sikur ka forcë absolute. Propozimi i znj. Shvarc, ndonëse dihej se nuk gëzonte mbështetje, e shndërroi seancën në një farsë të hidhur dhe tragjike për shtetin që mbetet i paralizuar, dhe komike për mënyrën sesi tallet me seriozitetin e institucioneve.
Në këtë proces, Kurti po tallet me të gjithë: me qytetarët që presin funksionim të institucioneve, me shtetin që ka mbetur i bllokuar, me opozitën që refuzon të shndërrohet në dekor, dhe madje edhe me aleatët ndërkombëtarë që kërkojnë stabilitet.
Strategjia e tij është transparente: duke propozuar emra të papranueshëm, ai zhvendos fajin te opozita, ndërkohë që e ka përgatitur vetë dështimin. Ky është manipulim i pastër politik.
Edhe pse Presidenca e ka konsideruar urgjencë konstituimin e Kuvendit, Kurti ka zgjedhur të fajësojë Gjykatën Kushtetuese. Ndërkohë që Prrsidentja Osmani qëllimisht dihomitizon gjuhën e kushtetueses. Por nuk është gjykata ajo që e mban peng procesin; është kryeministri që refuzon përgjegjësinë politike. Zgjidhja është e qartë: konsensus me opozitën për një figurë të pranueshme, pa improvizime dhe pa kokëfortësi.
Çfarë mund ta detyrojë Kurtin të reflektojë? Vetëm presioni i brendshëm politik – humbja e mbështetjes në Kuvend – dhe presioni i aleatëve ndërkombëtarë. Ndërkohë që mosveprimi i “shoqërisë civile” – tregon nivelin e dinjitetit kombëtar të qytetarëve të Kosovës. Sepse konsensusi nuk lind nga arroganca e njëanshme, por nga vetëdija se pushteti nuk është pronë private, por përgjegjësi ndaj qytetarëve.
Sa më gjatë që Kuvendi mbetet i bllokuar, aq më shumë Kurti e shmang llogaridhënien. Një Kuvend funksional do ta detyronte të përballej me opozitën, me interpelanca, mocione dhe kërkesa për transparencë. Prandaj bllokada është strategji, jo rastësi.
Një rrugëdalje ekziston nëse ofrohen kandidatura të pastra nga çdo barrë gjyqësore, të pakomprometuara me korrupsion ose krim, dhe me integritet moral e politik. Emri i një kandidature konsensuale e aftë për të ndërtuar ura bashkëpunimi, mbetet çështje që varet nga vullneti i palëve për marrëveshje politike paraprakisht.
Çfarë do të ndodhë në seancën e radhës? Nëse Kurti vazhdon me logjikën e përplasjes dhe me emra provokativë pa integritet, vendi do të përballet me një tjetër dështim. Nëse ka reflektim dhe pranohet kompromisi, kriza mund të zgjidhet. Por shenjat aktuale flasin për një skenar të vazhdueshëm bllokade.
Ky është momenti i reflektimit. Pushteti nuk është pronë private e një partie dhe as mekanizëm hakmarrjeje. Çdo përpjekje për të kapur institucionet e pavarura vetëm sa e thellon krizën dhe minon besimin qytetar në demokracinë tonë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe votimi i fundit në Kuvend janë paralajmërim i qartë se koha e abuzimeve po mbaron.
Kosova ka nevojë për një rikthim të menjëhershëm te normaliteti institucional dhe kushtetues. Vetëm kështu vendi do të mund të ecë përpara me stabilitet, me institucione funksionale dhe me vizion të përbashkët për integrim.