KOKALARI QINDVJEÇARE (2)

11 janar 2018 | 20:29

Albanë Mehmetaj

Siç më thotë nënua plakë

Libri i parë me tregime i Musine Kokalarit, Siç më thotë nënua plakë, kërkon një shqyrtim të veçantë, pasi shpalos autoren në disa plane. Në radhë të parë teksti duhet vlerësuar duke pasur parasysh që buron si prozë e parë e autores së parë shqiptare, pastaj që del si rezultat i një studimi ambicioz dhe një pune të palodhshme të saj kundrejt kulturës popullore, në funksion të tekstit artistik, si dhe, ndryshe nga shkrimet autobiografike, në të cilat shohim të ndërtohet portreti i saj, Siç më thotë nënua plakë e forcon më shumë ikonën e autores, kur shihet jashtë biografisë. Me një fjalë, janë boshti artistik dhe tematik ata që dallojnë e shquajnë Musine Kokalarin, prandaj edhe kërkimi duhet shënjuar në këtë pikë, pasi edhe ky tekst ka për objekt Kokalarin e tregimeve.

Në këtë pikëpamje Siç më thotë nënua plakë përbëhet nga dhjetë tregime, të cilët lidhen me njëri-tjetrin edhe tematikisht, edhe për nga struktura narrative, duke ndryshuar në çaste të caktuara të rrëfimit dhe të përshkrimit. Me këtë rrëfim Kokalari kërkon të ndërtojë një filozofi të vetën jetësore, përmes idiomatikes popullore, duke funksionalizuar kështu mjaft elemente gjuhësore e jetësore. Këto dy lloj elementesh Kokalari i ndërton dhe i procedon në mënyrën e saj, me konceptet e saj artistike dhe estetike, duke u dalluar kështu për një origjinalitet të stilit.

Tregimet e Kokalarit ndjekin një vijë rrëfimi, por ndryshojnë në situata narrative dhe në tipat narrativë, për të krijuar efekt të përqendrimit në pikën esenciale. Në këtë mënyrë, narracioni është heterodiegjetik e kështu pamjet e brendshme të personazheve dhe të botës së objektivuar nga Kokalari jepen më qartë dhe më specifikisht.

Rrëfimi synon ta prekë sipërfaqen psikologjike të femrës, duke hyrë në botën femërore të mbushur me probleme e telashe, e cila funksionon si një mënyrë e veçantë e të jetuarit dhe e të menduarit. Nëpërmjet shprehjeve të veta tekstuale, Kokalari krijon retorikën e tekstit, duke arritur kështu ta realizojë idenë letrare dhe të krijojë emocion letrar, në rrëfimin e përpjekjeve për ekzistencë, e cila, sa duket e lehtë, aq është edhe e rëndë. Do të thotë, përmes ligjërimit të Kokalarit ne e shohim gjithë jetën e femrës, e cila u përket moshave të ndryshme dhe ka karakteristika të ndryshme. Këtë kuptim e jep më së miri titulli Siç më thotë nënua plakë (që brenda konceptit nënua kemi – vajzën, renë, kunatën, motrën, gjyshen, por edhe një titull që sinjalizon një lloj urdhri për mënyrën e sjelljes: siç më thotë).

Nëpërmes rrëfimit artistik, Kokalari shënjon përjetimet e vendit të vet, për ta krijuar pamjen e një kolektiviteti, por duke u distancuar intelektualisht dhe objektivisht. Këto situata jetësore dhe ky ambient përjetohen e rrëfehen si një dramë shpirtërore, duke marrë kuptimin e dramaticitetit të situatës, për t’i dhënë kështu formë shkrimit. Pra, edhe pse objekt i të gjitha tregimeve është femra, kemi një dramatikë të karaktereve lidhur me njëra-tjetrën, si dhe një përplasje të motiveve ndërmjet vete. Para së gjithash, dramatike mbetet jeta e tyre, e cila është e mbuluar nga fatkeqësitë që sjellin kushtet e rënda dhe rrethanat e vështira. Kjo më së miri vërehet kur shohim tregimet radhazi, p. sh., te tregimi i parë, i cili ka titullin e veprës Siç më thotë nënua plakë, objekt është nëna plakë dhe mënyra e saj e të perceptuarit të jetës. Do të thotë, kemi problemin e mosambientimit të plakës me ndryshimin sado të vogël të të jetuarit, që është shkollimi i fëmijëve, e sidomos i vajzave. Më shkurt, kemi konfliktin dramatik midis brezave. Ky tregim merret drejtpërdrejt me çështjen e fatit të femrës shqiptare gjirokastrite, që e ilustron fatin e të gjitha femrave shqiptare të kohës.

Në tregimin Për mustaqet e Çelos kemi paraqitjen artistike të pësimeve të ndryshme të femrës, që në këtë rast është martesa e kunatës me kunatin (pasi i vdes burri) dhe e gjithë kjo situatë realizohet si një grindje nga dy gra të tjera për disa gjëra koti, siç e sugjeron vetë titulli i tregimit.

Tregimi Burri shoku qenit rrëfen raportin e burrit dhe të gruas, po ashtu, nga perspektiva e një tjetër gruaje, duke e parë drejtpërdrejt si problem ekzistencial të saj, pra martesën e burrit me një grua tjetër, menjëherë pas vdekjes së gruas së parë.

Shpalosja tjetër e botës së brendshme të femrës realizohet edhe nëpërmjet kategorisë së smirës për njëra-tjetrën, që realizohet në tregimin Paç fatin e së ligavet.

Te tregimi tjetër, Udhën e mbarë pastë, rrëfimi jep një linjë tjetër, duke krijuar një pamje pak më të ndjeshme të të gjithë shqiptarëve dhe konkretisht të përjetimit të gruas kur burri i shkon në mërgim, duke e përcjellë me mall e me barrën e peshës së rëndë që e pret. Pra, kemi një problem të madh sa psikologjik, aq edhe social, temë kjo e përhershme e shqiptarëve. Në këtë kontekst, nxjerrim përfundimin se të gjitha tregimet e Siç më thotë nënua plakë ngrihen mbi një logjikë të rrëfimit e të perceptimit femëror, si dhe karakterizohen nga një formë e shkurtër e shkrimit. Kështu, tregimet dalin të përqendruara për ta thënë thelbësoren, duke hyrë menjëherë në temë, në zbulimin e botës shpirtërore të femrës. Ky vështrim bëhet edhe më kompleks, duke pasur parasysh që narratorja është femër dhe gjithëdijshmëria e saj krijon një raport të sigurt, por jo të identifikueshëm, pasi që autorja e ruan distancën me personazhet e veta.

Rrëfimi i fatit të keq të femrave dhe jeta e rëndë e tyre i përshkojnë krejt tekstet e Kokalarit, duke krijuar kështu një formë të jetës njëplanëshe, të njëtrajtshme e me nëndegëzime të së keqes. Në këtë vijë, konflikti kryesor është i zgjidhur me vuajtje, moskënaqësi, urrejtje, shtirje, pëshpëritje ose me ndonjë alegori tjetër estetike. Teknika rrëfyese ruan një afërsi emocionale dhe fizike të Kokalarit me tekstin, e kështu edhe një fokusim të brendshëm, por natyrisht duke e ruajtur objektivitetin. Kështu, diskursi i narratores prezanton një jetë të tërë, duke e zbërthyer në krejt kuptimet, nëpërmes fenomenit femër dhe pikëvështrimit femëror.

Teksti i këtyre tregimeve i ka të gjitha karakteristikat e tekstit estetik, që do të thotë se shtron probleme pa zgjidhje dhe që kurrë nuk janë përfundimtare, por që krijon efekte estetike ose, siç vlerëson Lasgush Poradeci, të shijojnë estetikisht, pasi që kapin copa të gjalla të jetës në formë të miniaturave. Jeta e dhënë në strukturën tekstore krijon vlera nëpërmjet gjuhës, figuracionit, imazheve, simbolikës etj. Kjo përpjekje për ta njohur të bukurën në tekstin e Kokalarit arrihet duke zbuluar mjetin që e ndërton tekstin dhe që është mënyra e të shprehurit. Pra, stili i Musine Kokalarit e krijon të bukurën në tekstin e saj, duke depërtuar dhe duke u shtrirë thellë në jetën e gjallë për t’i përçuar efektet.

Ky raport që ndërton vepra e Kokalarit me botën objektivon jetën e vështirë të femrës që formësohet nga problemet tipike, por e keqja e jetës së femrës shkak ka një të keqe më të rëndë që është ai i kushteve sociale, dhe mosdija, në mungesë të njohjes dhe arsimimit. Kështu, duke u rrëfyer këto probleme nga një autore që në radhë të parë edhe i ka studiuar ato dhe këtë mënyrë jetese, nga një prizëm tjetër dhe formim tjetër, dallojmë një “refuzim estetik” (Ibrahim Rugova), një mospranim të të jetuarit të tillë nëpërmjet figurës së ironisë e sarkazmit që te Kokalari del në mënyrë më të përsosur, nëpërmes një lirizmi dhe një filli të të qeshurit.

Që ta shohim më qartë domethënien e refuzimit, si kategori estetike, pse dhe si ndodh ajo në letërsi, do të thotë si realizohet dhe kur, si dhe çfarë kërkesash ka, do të shohim një pjesë të tekstit të Ibrahim Rugovës, i cili është esteti më i specializuar në letërsinë shqiptare dhe që është marrë konkretisht me këtë problem, në librin studimor Refuzimi estetik botuar më 1987: Refuzim do të thotë të mos pranosh, të mos pranosh atë që të imponohet, e kjo varet nga qëndrimi personal dhe ai i përgjithshëm. Letërsia i ka dy forma, por refuzimi më i madh i saj është refuzimi me qenien, me karakterin e saj, që ne e quajmë refuzim estetik. Refuzimi estetik realizohet në formë të drejtpërdrejtë me mjete letrare që njihen prej kohësh, siç janë satira, sarkazmi, grotesku apo ironia e angazhimit në kohën moderne, kur letërsia me vetë praninë e realitetit në vete dhe të realitetit të vet refuzon imponimin. Në një farë dore ky mund të merret si refuzim filozofik apo ontologjik, sepse me vetë qenien e saj krijon kontempline dhe konotime të shumta, që përgatisin vetëdijen, shpirtin dhe mendjen njerëzore në jetë për çështje të ndryshme.

Duke e vështruar në këtë plan, del se autorja e parë shqiptare, Musine Kokalari, në punën e dijes letrare ka qenë mjaft e formuar dhe ka dalluar specifikat themelore të krijimit letrar, pra të letërsisë. Gjithashtu, duke vështruar në këtë plan (nëpërmjet tekstit të Rugovës për refuzimin estetik) duhet të theksojmë se është po ky studiues që, në vitin 1983, e prezanton Musine Kokalarin në Kosovë. E rëndësishme është se po ky estet e vlerëson Kokalarin për stilin, për krijimin artistik dhe për fenomenin gjuhë. Vlerësimi i Rugovës shkon më tej, duke e konsideruar të “folmen çame”, dhënë në tekstet e Kokalarit, si tejet të rëndësishme për gjuhëtarët tanë, si dhe për elemente të gjuhës historike, pasi që mendon se dialekti që përdor autorja përmban shumë trajta gjuhësore që i hasim te veprat e arbëreshëve. Prandaj, edhe në këtë kontekst themi se tregimet e Kokalarit mbeten me një vlerë dhe efekt të veçantë, mbesin tregime që mund të lexohen me kënaqësi në çdo kohë, me temë dhe stil që duhet të studiohen thellësisht.

(Marrë nga revista “Akademia”. Vijon në ditën e nesërme)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadorja e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku, ka bërë me…