Kokëfortësia e Kurtit dhe pasiviteti i opozitës po e mbajnë Kosovën në një bllokadë të gjatë institucionale!?
Shkruan: Ismet Kryeziu, drejtor i KDI-së
Zgjedhjet duken tashmë të pashmangshme. Por pyetja e vërtetë është: a do të jenë ato zgjidhje apo vetëm vazhdim i krizës politike?
Sot kemi një konfirmim të mungesës së vullnetit politik të Albin Kurtit për të bashkëqeverisur apo ndarë përgjegjësinë me opozitën. Në anën tjetër, kemi edhe një refuzim të qartë të bashkëpunimit me Kurtin nga ana e opozitës. Kjo ka krijuar një rreth të mbyllur, ku asnjëra palë nuk është e gatshme të ndryshojë pozicionin e vet, dhe vendi ka mbetur pa funksionalitet institucional.
Për më tepër, kokëfortësia e Kurtit për të qeverisur i vetëm, e përforcuar nga bindja se ai është i vetmi garant i “vullnetit qytetar”, ka krijuar një klimë politike të mbyllur dhe përjashtuese. Ai nuk e sheh bashkëpunimin si domosdoshmëri institucionale, por si rrezik për kontrollin e tij mbi pushtetin. Edhe kur qeveris me parti të tjera, ato duhet të jenë në pozita nënshtrimi dhe jo partneriteti. Kjo e bën sistemin politik të brishtë, dhe me shumë gjasë, as zgjedhjet e reja nuk do ta ndryshojnë këtë qasje. Përkundrazi, një fitore tjetër e Kurtit do ta forconte ndjesinë e tij të vetë-mjaftueshmërisë politike dhe do t’i forconte më tej kulturën e përjashtimit.
Pra çfarë ndodh nëse pas zgjedhjeve kemi të njëjtat rezultate, ose renditje të njëjtë të subjekteve politike? A do të kemi një zgjidhje reale, apo një krizë të përsëritur, me aktorë të lodhur dhe institucione të bllokuara? Nëse nuk mund të përballojmë një tjetër krizë politike, atëherë ndryshimi i pozicioneve politike bëhet i pashmangshëm. Por lind pyetja tjetër: A ia ka vlejtur që Kosova të mbetet për më shumë se një vit pa institucione funksionale, nën sanksione ndërkombëtare dhe pa përgjegjësi institucionale e politike, vetëm që partitë të ripërcaktojnë pozicionet e tyre?
Në anën tjetër, zgjedhjet shpesh përmenden si mundësi që gjenerojnë opsionin e ndryshimit të pushtetit dhe krijimin e një qeverie alternative pa Kurtin. Por kjo ide, sado joshëse për ata që duan “ndryshim”, mbetet e paqartë në përmbajtje. Sepse as partitë opozitare nuk kanë arritur për një vit të gjejnë gjuhë të përbashkët për të ndërtuar një ofertë qeverisëse. Dhe me shumë gjasë, as pas zgjedhjeve nuk do ta kenë të lehtë ta bëjnë këtë.
Një opozitë pa energji, pa guxim dhe pa vizion vështirë se mund të krijojë një opsion politik alternativ përballë Kurtit. Liderët e saj, edhe pse më të rinj dhe me përpjekje për reforma të brendshme, vazhdojnë të jenë të lodhur nga e kaluara, pa reflektim dhe pa ofertë të re. Deri më sot, veprimet e tyre politike kanë qenë kryesisht reagime, ndërsa përveç refuzimit të Kurtit, nuk mbahen mend për ndonjë veprim që ka sjellë shpresë apo frymëzim për ndryshim. Kanë artikuluar ndonjëherë kritika për tema periferike, por asnjëherë një vizion që frymëzon.
Me këtë qasje të opozitës, Kurti po e luan i vetëm edhe rolin e pushtetit, edhe të opozitës. Përveç mungesës së institucioneve funksionale, kjo është kriza më e madhe politike e vendit: mungesa e një zëri që sfidon realisht pushtetin.
Opozita s’mund të fitojë duke pritur që Kurtin ta rrëzojnë vetë qytetarët, ndërkombëtarët apo lodhja e pushtetit. Duhet të guxojnë të marrin përgjegjësi, të kenë ide, njerëz të rinj dhe veprime politike të qarta. Pa këto parakushte, vështirë të ketë alternativë opozitare.
Prandaj, ndryshimi i vërtetë nuk qëndron tek cikli i zgjedhjeve. Çdo proces zgjedhor mund të prodhojë vetëm rotacion partish, por pa një kulturë të bashkëpunimit, konsensusit politik dhe përparësisë së interesave shtetërore mbi ato personale, Kosova do të vazhdojë të përjetojë krizë politike dhe institucionale. Vetëm përmes veprimeve politike të përgjegjshme, të guximshme, të orientuara nga ideja e shtetit dhe jo nga interesa të ngushta partiake, vendi mund të ecë përpara dhe të shmangë bllokimin e mëtejshëm.



