Kokëfortësia me ShBA-në sjell pasoja të mëdha dhe të pariparueshme

11 mars 2020 | 11:27

Analisti politik Ilir Ibrahimi ka bërë me dije se nëse Kosova nuk e dëgjon  këshillën amerikane për ta hequr taksën ndaj Serbisë, pasojat do të jenë të mëdha për vendin.

Ai ka deklaruar se kjo qasje kokëfortë e palës së Kosovës do të sjellë pasoja për vendin. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë nëse nuk plotësohen kërkesat e ShBA-së, këto pasoja do të jenë edhe të pariparueshme.

“Ritheksoj edhe një herë, ShBA-ja është duke e kërkuar dhe pritur një partner të besueshëm te pala e Kosovës në këtë proces. Nëse pala e Kosovës nuk arrin ta ofrojë atë partner, pasojat do të jenë të mëdha. Dyshoj, edhe të pariparueshme”, ka thënë Ibrahimi. Sipas tij, sanksionimi më i madh do të ishte humbja e besimit të administratës amerikane për palën e Kosovës. “Kjo do të çonte në një varg pasojash të cilat mendoj se do ta vinin në pikëpyetje të qenit dhe funksionimin e Kosovës si shtet në familjen e shteteve të botës. Nëse Kosova për shkak të egove dhe inateve personale e humb partnerin më të rëndësishëm strategjik, atëherë një gjë e tillë nuk do të na falet”, ka thënë Ibrahimi.

Më tej, ai ka ftuar spektrin politik vendor që të arrijë një konsensus.

“Lidershipi kosovar sa më shpejt duhet të ndërtojë një konsensus dhe t’i ofrohet palës amerikane si partnere e besueshme. Kërkesat janë të qarta dhe ato duhet të plotësohen menjëherë. Duhet marrë vendime të guximshme dhe të pakalkuara. Duhet shkuar në dialog me një zë dhe me një qëndrim”, ka deklaruar Ihrahimi, duke shtuar se vonesat në këtë drejtim do të sjellin pasoja.  “Flitet se palët në dialog presin të ketë një kompromis prandaj, nëse shkohet me një qëndrim të bashkuar, atëherë edhe përgjegjësia edhe kompromisi janë më të pranueshëm. Çdo vonesë, çdo kalkulim, çdo mbajtje inati apo egoje, do të sjellë pasoja e që kam frikë se nuk do të mund të sanohen për dekada të tëra”, është shprehur Ibrahimi

“Epoka e re”: Z. Ibrahimi, kryeministri Albin Kurti ka propozuar heqjen e pjesshme të taksës ndaj produkteve serbe. Si e keni parë këtë propozim të kryeministrit?
Ibrahimi: Nëse shihet si hap i parë, ai do të dukej hap i mirë, por duhet analizuar edhe kontekstin e zhvillimeve të gjithëmbarshme globale dhe sidomos tani kur kemi një rol udhëheqës të ShBA-së në dialogun me Serbinë. Tanimë e kemi parë reagimin e administratë së ShBA-së e cila e ka quajtur këtë propozim si hap gjysmak i cili nuk është i mjaftueshëm. Nëse një hap i tillë do të ndërmerrej para një viti, ndoshta do të ishte mirëpritur, por sot, kur kemi gjithë këtë angazhim në instancat më të larta të administratës amerikane për të arritur një marrëveshje Kosovë – Serbi, atëherë koha është për të vepruar dhe marrë vendime të guximshme, dhe jo gjysmë hapa të kalkulueshëm.

 “Epoka e re”: ShBA-ja e ka kundërshtuar këtë veprim të qeverisë. A po rrezikohen raportet Kosovë – ShBA?
Ibrahimi: ShBA-ja e ka bërë të qartë se kjo qasje kokëfortë e palës kosovare do të sjellë pasoja për vendin. Nëse lidershipi kosovar nuk arrin të ofrohet si një partner i besueshëm, atëherë si mund të presim nga superfuqia botërore të merret me ne. Mos të harrojmë se dy nga zyrtarët më të lartë në administratën amerikane, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, O’Brian dhe drejtori i Inteligjencës Kombëtare, Grenell, janë duke u marrë me Kosovën. Këta zyrtarë kanë qasje të drejtpërdrejtë dhe të përditshme te presidenti Trump. Nëse lidershipi i Kosovës me papjekurinë e vet tregon se nuk është i denjë për një partneritet të tillë, atëherë si mund të presim që këta zyrtarë të na marrin seriozisht.

 “Epoka e re”: Cilat mund të jenë pasojat për Kosovën nëse nuk e dëgjon këshillën e ShBA-së?
Ibrahimi: Shpesh dëgjojmë zëra se pse po i bëhet gjithë ky presion Kosovës dhe jo Serbisë. Mos të harrojmë se deri vonë, madje edhe sot në qarqe të caktuara, ShBA-ja në Serbi shihet si një vend armik. Ishte ky vend i cili në krye të NATO-s e bombardoi Serbinë për 78 ditë. Ishte sërish ky vend që orkestroi shpalljen dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës. Mos të harrojmë që në atë kohë ishte sulmuar Ambasada e ShBA-së në Beograd. Prandaj analiza duhet të bëhet në këtë kontekst. ShBA-ja e bën gjithë presionin mbi Kosovën që ta ketë 100 për qind në krah, për të arritur një marrëveshje me Serbinë. Si do t’i mund t’i bëhet presion Serbisë, kur Kosova, si projekt i ShBA-së, po bëhet pengesë e procesit? E ritheksoj edhe një herë, ShBA-ja është duke e kërkuar dhe pritur një partner të besueshëm te pala e Kosovës në këtë proces. Nëse pala e Kosovës nuk arrin ta ofrojë atë partner, pasojat do të jenë të mëdha. Dyshoj, edhe të pariparueshme.

“Epoka e re”: Është përmendur edhe mundësia e sanksioneve. Çfarë do të thotë për Kosovën në qoftë se ShBA-ja vendos ndonjë sanksion ndaj saj?
Ibrahimi: Dënimi apo sanksioni më i madh do të ishte humbja e besimit të administratës amerikane për palën e Kosovës. Kjo do të çonte në një varg pasojash të cilat mendoj se do ta vinin në pikëpyetje të qenit dhe funksionimin e Kosovës si shtet në familjen e shteteve të botës. Nëse Kosova për shkak të egove dhe inateve personale e humbet partnerin më të rëndësishëm strategjik, atëherë një gjë e tillë nuk do të na falet. Historia e shqiptarëve, fatkeqësisht, është e dominuar nga përçarja dhe lufta individuale ndërmjet fraksioneve të ndryshme. Nëse një gjë e tillë na përsëritet edhe në shekullin 21, atëherë nuk duhet ta fajësojmë askënd pse jemi ku jemi.

 “Epoka e re”: Çka duhet të bëjnë institucionet e Kosovës dhe partitë politike në mënyrë që Kosova të mos i rrezikojë raportet me partneren strategjike, ShBA-në?
Ibrahimi: Lidershipi kosovar sa më shpejt duhet të ndërtojë një konsensus dhe t’i ofrohet palës amerikane si partnere e besueshme. Kërkesat janë të qarta dhe ato duhet të plotësohen menjëherë. Duhet marrë vendime të guximshme dhe të pakalkuara. Duhet shkuar në dialog me një zë dhe me një qëndrim. Flitet se palët në dialog presin të ketë një kompromis, prandaj nëse shkohet me një qëndrim të bashkuar, atëherë edhe përgjegjësia, edhe kompromisi janë më të pranueshëm. Çdo vonesë, çdo kalkulim, çdo mbajtje inati apo egoje, do të sjellë pasoja e që kam frikë nuk do të mund të sanohen për dekada të tëra.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim…