Kurti takohet me ministren britanike, bisedojnë për dialogun dhe taksën

11 mars 2020 | 11:24

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim ministren për Evropë dhe Amerikë të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, Wendy Morton.

Në këtë takim, Mortoni është interesuar për situatën në Kosovë, si dhe për mbarëvajtjen e punëve në projektet e qeverisë Kurti, të cilat ishin përmendur në takimin e përbashkët muajin e kaluar në Londër.

I pari i qeverisë e ka njoftuar ministren me hapat e parë të qeverisë, siç janë fillimi i procesit të vettingut, shkarkimi i bordeve të ndërmarrjeve publike me performancë të dobët, hartimi dhe miratimi i projektbuxhetit për këtë vit, si dhe anulimi i disa kontratave të dëmshme ekonomike për vendin tonë.

Në takim është diskutuar edhe dialogu me Serbinë, dhe çështja e tarifës ndaj mallrave të Serbisë, me ç’rast kryeministri e ka njoftuar ministren Morton për planin e heqjes graduale të tarifës dhe zëvendësimit të saj me masa reciprociteti, si dhe hapja e mundësisë për heqjen e barrierave jotarifore në mes të dy vendeve, hap ky në drejtim të rifillimit të dialogut politik.

Të dy palët janë pajtuar se dialogu i hapur dhe konstruktiv është shumë i rëndësishëm për stabilitetin në rajon.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lulëzim ETEMAJ Demonstratat e 11 marsit ‘81, të pasuara nga…