Gropën në kompleksin e Universitetit të Prishtinës nuk e mbyll askush
Ka disa vjet që në kompleksin e Universitetit të Prishtinës, në mes të kishës ortodokse serbe dhe Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, një gropë është hapur vetvetiu. Shiritat përreth saj i njoftojnë kalimtarët për rrezik. Vizitorët ndërkombëtarë, të kishës ortodokse serbe dhe Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, gjithmonë afrohen pranë saj dhe shikojnë çfarë ka brenda saj. E shuajnë kureshtjen me sy. Po brenda saj ka vetëm disa gjethe, disa shishe plastike, disa qese najloni dhe pako të zbrazura të cigareve. As rektori, as profesorët, as studentët, edhe pse është gropë që paralajmëron rrezik, nuk e mbyllin. Mbyllja e saj, në këtë stinë të vjeshtës, është e lehtë dhe shumë pak e kushtueshme. Nëse me asgjë tjetër, që disa vjet që është kështu, do të mund ta mbyllnin vetëm me gjethe. Në këtë mënyrë si është lënë, mbase udhëheqësi i Universitetit të Prishtinës po pret që qytetarët ta mbushin me mbeturina.



