Komandanti zemërshqiponjë Enver Zymer Avdyli-Rafuna, njeriu i përkushtimit atdhetar gjithëkombëtar 

18 mars 2019 | 17:39

Shkruan: Afrim Mustafa,  ish-reporter dhe veteran i luftërave të UÇK-së

Komandanti i mirënjohur i tri luftërave atdhetare çlirimtare në Kosovë dhe i luftës në Kroaci, Enver Avdyli-Rafuna, nuk ndalet dot së vepruari dhe së punuari për paqen dhe për t’i ndihmuar skamnorët në Kosovë dhe kudo në trojet shqiptare… Vetëm gjatë tri vjetëve të fundit Shoqata Humanitare “Diaspora”, drejtor i së cilës është Enver Rafuna, ndërtoi dhe ua fali skamnorëve 54 shtëpi në fshatra, qytete dhe vendbanime të ndryshme të Kosovës dhe të Shqipërisë. Humaniteti i thellë i  komandant “Hoxhës” dje në luftë e sot në liri, vazhdon

Emrin e Enver Avdyli Rafunës e kam dëgjuar disa herë nga bashkëveprimtarët dhe bashkëluftëtarët e shumtë të atdheut tonë. Në fakt, Enveri ishte një nga organizatorët e shkëlqyeshëm të luftërave të UÇK-së në tri hapësirat shqiptare, si dhe fillimisht çlirimtar dhe organizator, edhe i luftës në Kroaci. Duke u ndihmuar atje miqve tanë kroate për ta shporrur njëherë e përgjithmonë armikun gjakatar nga trojet e tyre. Enver Avdyli-Rafuna sot ka një autoritet të veçantë, të cilin, gjatë veprimtarisë së tij atdhetare, heroike e çlirimtare, e krijoi me mund e përkushtim të thellë. Por, ai këtë autoritet edhe me shumë e trashëgoi nga familja, po ashtu kontribuuese e thellë për lirinë dhe për pavarësinë e Republikës së Kosovës në momentet më të vështira dhe më krenare, njëkohësisht.

Baca Zymer Avdyli- Rafuna, babai i komandantit dhe atdhetarit Enver Zymer Avdyli-Rafuna, po ashtu ishte një atdhetar, trim, burrë, bukëdhënës dhe njeri shumë humanitar. Historia e lavdishme dhe krenare e pajtimeve të gjaqeve, aksion zulmëmadh, i realizuar nga viti 1990-1992 nuk mund të shkruhet dhe dokumentohet pa veprimtarinë atdhetare, humanitare dhe pajtimtare të bacës së veçantë, Zymer Avdyli-Rafuna, i cili me bashkëveprimtarët e tij shoi shumë konflikte, ndërmjetësoi dhe i zhduku plot e përplot ngatërresa, vrasje e plagosje nëpër rajone të ndryshme të territorit të Republikës së Kosovës, e pushtuar dhe e okupuar për qindra vjet nga gjenocidi serbosllavomadh dhe serborusosllav.

Anton Çeta, kryepajtimtari i madh i maleve dhe i njerëzve nëpër malet dhe bjeshkët e Kosovës, e kishte një krah të djathtë dhe zemër të tijën, plakun, mendimtarin dhe atdhetarin e përkushtuar dhe me autoritet në këto troje, Zymer Avdyli-Rafuna, një burrë i ndershëm, mendjendritur dhe fjalëpakë, por veprimtar i thellë i atdheut. Baca Zymer, i ardhur në Hajvalinë e qëndresës gjithëkombëtare nga krahina e Gollakut, përkatësisht nga Kremenata e Kamenicës kryengritëse, barti në vetvete, dinjitetin, humanitetin dhe bamirësinë, të cilën nuk do ta ndalë asnjëherë.

Shpeshherë, plaku i maleve të Karadakut e të Gollakut kishte marrë respektin e thellë nga i madhi Anton Çetta, i cili kishte thënë se bacën Zymer e ka në shpirt, në zemër dhe në hapat gjigantë, për t’i nderuar dhe pajtuar e afruar shqiptarët kudo në trojet shqiptare.

Zymer Avdyli-Rafuna, Anton Çetta, Zekeria Cana, Bejtullah Kçiku, Mulla, Idriz Kakrruki, Don Lush Gjergji, ishin bërë si një zemër dhe si një emër dhe shkonin aty ku kishte nevojë dhe domosdo për t’i nderuar, pajtuar dhe afruar shqiptarët.

Aksionet e Anton Çettës, Bacës Zymer, Zekerijahut, Don Lushit, Mulla Idrizit, Behram Hotit dhe qindra atdhetarëve e bashkëveprimtarëve të tjerë nuk i ndalnin dot, as  shiu, as furtuna, bora dhe acari. Ata vepronin, punonin dhe pajtonin mal me mal, kodër më kodër, shtëpi më shtëpi, avli më avli dhe kudo, ku kërkohej… Aksionet e thella të këtyre trimave heronj dhe bashkues të shqiptarëve nuk u shkonin përshtati, kurrsesi, pushtuesve famëzinj serbosllavë, të cilët Zymeri me shokë i kishin halë në sy. Sot, baca Zymer Avdyli-Rafuna është në botën e përtejshme, por kryekëput e ka trashëguar djali i tij i dytë, i cili ka themeluar dhe është drejtor shumë i suksesshëm i Shoqatës Humanitare atdhetare dhe Bamirëse, “Diaspora”, me të cilën ai po jep një kontribut shumë të thellë për t’i ndihmuar skamnorët, varfanjakët dhe krejt ata, të cilët jetojnë në kushte të rënda ekonomike, bile në mjerim të thellë…

Por, komandanti i katër luftërave, Enver Rafuna, nuk ndalet së punuari dhe së vepruari për të mirat gjithëshqiptare. Ai, sa është në Karadak, sa në Dukagjin, sa në Istog, sa në Beguncë të Vitisë, sa në Suharekë, e të nesërmen do ta gjeni në Studenicë të Istogut. Misioni i Shoqatës atdhetare gjigante Humanitare, “Diaspora”, sa vije e po zgjerohet.

Por, komandanti i veprimit dhe i nderimit emblematik, asnjëherë nuk harron të përmend ata që i japin jetë, mirësi dhe gjallëri në misionin e tij, si: Veprimtarët dhe humanitarët shumë të Çmuar nga Shtimja: Vëllezërit: Hasan dhe Nexhat Ejupi, të cilët në momentet më të vështira kanë dhënë kontribut shumë të jashtëzakonshëm.

Për këta vëllezër humanitarë dhe atdhetarë, edhe një libër i veçantë të shkruhet, është pak…Por,  ndihmuan  edhe të tjerët, si, vëllezërit, Lazer dhe Frrok Ndue Ballabani nga Stublla, me punë në Austri. Në këtë mes, ai nuk harron të përmendë edhe veprimtarin Vesel Alshiqi, udhëheqës i Shoqatës së Tregtarëve me shumicë të Prishtinës, me emrin “Bashkimi”, e cila po ashtu nën udhëheqjen e Alshiqit po ndihmon herë pas here shoqatën e mirënjohur dhe gjigante humanitare “Diaspora”. Komandanti, dje i shkëlqyeshëm në luftë, e sot i shkëlqyeshëm dhe human me shoqatën e tij bamirëse, përmend për kontribut edhe veprimtarinë e shquar dhe të veçantë: Shefqet Baca nga Lismiri i Obiliqit, i cili gjithashtu me zemër ndihmon shoqatën e drejtuar nga drejtori i pazëvendësueshëm, Enver Avdyli-Rafuna, komandant “Hoxha”. Dhe, komandanti i mirënjohur i atdheut, dje i luftës, e sot i humanitetit gjithandej trojeve shqiptare, Enveri nuk harron pa përmendur as edhe veprimtarin e njohur nga Studenica e Istogut, në mërgim, Shefqet Gorcaj, i cili gjithashtu, herë pas here ndihmon dhe nderon shoqatën me humanitet dhe me bamirësi të pandalshme. Përkrahje të parezervë shoqatës së vlerave të larta atdhetare e humanitare, “Diaspora” po i japin edhe z. Zija Xheladini nga Reçaku i krenarisë kombëtare, i cili vepron dhe punon në Zvicër dhe i cili përfaqëson shoqatën në shtetin helvetik. Po ashtu, kontribut ka dhënë dhe po jep edhe veprimtari Hamit Qazim Hamiti nga Shkupi, me prejardhje nga Kabashi i Vitisë dhe i cili gjendet me punë në Norvegjinë e largët dhe mike të Kosovës.

Gjithashtu nuk ndalet së ndihmuari shoqatën e kontributit edhe veprimtari dhe atdhetari Agim Dreshaj nga Prigoda e Istogut, i cili, bashkë me bashkëshorten e tij, Valbona Beqiri-Dreshaj nga Gjermania, është krah i përhershëm i komandant “Hoxhës” dhe i shoqatës të cilën e udhëheq ai. Vepron dhe përkrah edhe Abaz Aziri nga Kosaça e Gjilanit, i cili gjendet me punë në Loudon Ontorio, në shtetin e Kanadasë. Por, kurrsesi nuk harrohet përkrahja dhe kontributi i atdhetarit të çmuar, Arben Binakaj nga Belegu i Deçanit, i cili gjendet në Zvicër. Ka shumëçka, shumë e shumë të shkruhet dhe të thuhet për shoqatën e humanitetit të veçantë të përmasave shumë të larta të përkrahjes dhe të humanizmit. Por, kësaj radhe kaq, për komandantin dje luftëtar, epror dhe çlirimtar i rrallë në katër luftërat ballkanike, në Kroaci dhe tri në Kosovë, e sot, humanitar, gjithandej shqiptarisë.

Komandant “Hoxha” – Enver Avdyli-Rafuna, gjatë luftës së UÇPMB-së në Kosovën Lindore, ku ishte epror i kësaj lavdie çlirimtare

Veprimtari dhe atdhetari Zymer Avdyli-Rafuna. Avdyli, 10 janar 1938, 7 prill 1997. Është babai i komandantit, Enver Avdyli-Rafuna, sot drejtor i Shoqatës Humanitare “Diaspora”, me seli në Prishtinë, por e cila vepron dhe ndihmon gjithandej trojeve shqiptare 

Nexhat Ejupi, afarist nga Shtimja, përkrahës i vazhdueshëm i familjeve të dëshmorëve, luftëtarëve, invalidëve dhe, në veçanti, i shoqatës gjigante humanitare “Diaspora”, udhëhequr nga drejtori i kësaj shoqate shumë humanitare, Enver Avdyli-Rafuna, i njohur me emrin e çlirimtarit Komandant “Hoxha”

Komandant “Hoxha”, Enver Avdyli-Rafuna me bashkëluftëtarët: Afrim Sejdiu, Shaban Ukshini (dëshmor) Lulzim Ibishi, Demush Demiri në UÇPMB në Magjerre, viti 2000

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” të hënën është hapur ekspozita…