Komedia çnjerëzore e Shqipërisë

24 mars 2022 | 08:19

Nga: Jean-Paul Champseix / “En Atendant Nadeau”

Për botimin në Francë të romanit “Metamorfoza e një kryeqyteti” të shkrimtarit Ylljet Aliçka.

Ylljet Aliçka, romancier, diplomat dhe skenarist, në librin e tij të fundit “Metamorfoza e një kryeqyteti”, me një penë të ngjyer në ironi, përshkruan një tablo të plotë të Shqipërisë, që nga diktatura e Enver Hoxhës e deri në ditët e sotme.

Ndër të tjera, ai alternon papajtueshmërinë e një sistemi çnjerëzor, nga i cili ishte e pamundur t’i shpëtoje dhe mashtrimin e një shoqërie të shfrenuar, rrënuar nga lakmia dhe etja për pushtet. I distancuar në dukje, Aliçka shënjon momentet e mëdha të periudhës në të cilën u përfshinë shqiptarët: spastrimet e Hoxhës, rënia e regjimit, “tranzicioni”, skandali i piramidave financiare, përplasjet civile, korrupsioni… Dalim gati të rraskapitur nga leximi i këtij romani, por mjaft të kujtojmë se të gjitha dramat, tronditjet, tmerret, rrëfyer me një ton ironie volteriane, janë autentike. Nën tiraninë e Enver Hoxhës u imponua një kod i unifikuar ideologjik dhe sjelljeje.

Vladimiri, një diplomat i ri, fejohet me vajzën e një gjenerali. Gjenerali eliminohet nga Hoxha dhe menjëherë, i riu heq dorë nga martesa dhe këshillon ish-të fejuarën e tij të abortojë fëmijën. E më pas, ai nuk merr pjesë në varrimin e saj, pasi ajo vetëvritet në liqenin e Tiranës. Familja e tij që shkon në rënie.

Asnjë spërkatje nuk duhet të njollosë “biografinë” e anëtarëve të klanit, që për njëfarë kohe ishte në kontakt me fatkeqtë, për shkak të hakmarrjes së frikshme nga shteti. Njerëzit internohen a eliminohen, pa e ditur domosdoshmërisht pse, madje subjekt janë edhe anëtarët e Policisë të frikshme sekrete, Sigurimi, i cila i detyron ata që kërkojnë t’i shpëtojnë ndëshkimit kolektiv, të bëhen informatorë të zellshëm. Ndërsa një personazh i romanit deklamon troç:

“Mallkuar qofshin të gjithë ata që nuk e falënderojnë Udhëheqësin para se të pushkatohen!”. Në vitet e fundit të regjimit, Kryeministri Mehmet Shehu u likuidua dhe Ismail Kadaré u konsiderua… spiun francez. Me vdekjen e Hoxhës, Beniamini, poet, i varfër në frymëzim, shkroi se i vetmi gabim i diktatorit ishte se … pse vdiq duke lënë popullin jetim. Për shkak të kritikës, sado parimore në dukje, poeti u dërgua një vit për riedukim “në gjirin e fshatarësisë patriote të zonave të thella malore”.

Në fshat, poeti kupton se punëtorët e stallës, “të braktisur në mes të maleve”, “nuk kanë asgjë të përbashkët me fshatarët e buzëqeshur me kallinj gruri në dorë” që shihte nëpër revista. Për të fituar simpatinë e tyre, ai u shpërndan fshatarëve disa karamele blerë nga një mik i tij gjatë një udhëtimi jashtë Shqipërisë, ndërsa ata e denoncojnë në polici, pasi “karamelet e jashtme janë të helmuara nga agjentë të huaj”.

“Morali socialist” bie në sy nga mungesa e tij dhe një errësirë e madhe shpirti shfaqet përmes mbrojtjes së pretenduar të ideologjisë: një kritik letrar i specializuar në “linçimin” e shkrimtarëve; militantë që ëndërrojnë të përjashtojnë shokët e tyre dhe të dëbojnë familjet nga Tirana, një student, i cili nuk i përket një klani të lidhur me pushtetin, futet në burg, sepse një letër dërguar Policisë zbulon se ai lexon vepra të ndaluara si “Neveria” e Sartrit. Më pas, ai do të humbasë çdo dëshirë për të lexuar, duke mos kuptuar më se çfarë dobie do t’i shërbenin iluzionet e “një psikopati çek” “kur mendonte se ishte një brumbull”.

Atij i bashkohet dhe shoqëria postkomuniste, duke bërë kausha për caraca me faqet e romanit “Uliksi” të Xhojsit. Rënia e regjimit e gjen të përmbysur statujën e madhe të Enver Hoxhës. Autori i kokës së statujës, Martin Shpiragut, i duhet të vuajë xhelozinë e kolegëve përgjegjës për realizimin e pjesëve të tjera të trupit, krahëve, këmbëve…

Skulptorët kolegë u hakmorën duke rritur temperaturën punishtes që t’i plasaritej fytyra diktatorit (pjesë kjo e kokës me përgjegjës Martinin). Në kohën e tranzicionit – që nuk e dimë deri kur do të vazhdojë – veprimtarët shoqërorë të tranzicionit “nuk e kuptojnë pse të burgosurit e liruar nuk tregojnë më shumë mirënjohje ndaj pushtetit, ende komunist, i cili sapo i ka liruar para përfundimit të tyre”, ndërsa një pjesë e popullsisë i tremben hapjes së dosjeve të Policisë, ku mund të shfaqen aktet e tyre denoncuese.

Xhaketat u kthyen, sidomos pas shpjegimeve të pasardhësit të Hoxhës: “Ne, komunistët reformatorë, do të aplikojmë strategjinë tonë në ekonomi, në atë mënyrë që kapitalistët dhe pronarët e ardhshëm të jemi ne. Për sa u përket ish-të burgosurve politikë, do t’u japim secilit nga një copë letër që do t’u njohë të drejtat e tyre pronësore, por pa u materializuar në kthim”.

Askush nuk është përgjegjës për krimet e së kaluarës sipas sloganit paqtues: “Të gjithë bashkëfajtorë, të gjitha viktima” dhe të gjithë ankohen për regjimin e rënë. Përfshirë “një mozaik njerëzish me karakter largpamës, si ish-agjentë të Sigurimit, hetues, prokurorë, sekretarë partie, roje burgu, informatorë vullnetarë”, që nuk mungojnë të ndryshojnë idealet e tyre, duke u shndërruar në eurosocialistë. Gjithçka zhvillohet në Tiranë, prej nga vjen titulli i librit, sepse pushteti është shumë i centralizuar. Të ashtuquajturit “intelektualë të pavarur” përpiqen të fitojnë favore nga “ndërkombëtarët” e organizatave të ndryshme.

Vetë ndërkombëtarët që nuk kanë shumë durim të njohin historitë e koklavitura të këtij vendi, rekomandojnë se “vetëm të rinjtë mund ta bëjnë këtë vend, pasi, sipas tyre, ish-të dënuarit dhe të burgosurit janë aq të rraskapitur fizikisht dhe mendërisht për të mundur të marrin pjesë në proceset demokratike.

“Komplimenti suprem” i ndërkombëtarëve u takon vajzave të reja që flasin gjuhë të huaja: “Ju nuk dukeni fare si shqiptare…”. Në këtë realitet e shoqëri naive shfaqen dhe bufonada – absolutisht autentike. Manipulatorë ndërkombëtarë që pretendojnë të jenë nga Kembrixhi ose Oksfordi e që u shesin vendasve “të emargjinuar nga regjimi i mëparshëm” diploma që i cilësojnë ata si “Person i shquar i shekullit ose i globit”. Në këmbim, shqiptarët u kundërpërgjigjen të huajve duke u shitur tituj të fisnikërisë osmane, të perëndimorizuar për këtë rast. Kështu, titulli “Beu” i Koshovicës bëhet “Vikont”.

Gjatë kësaj periudhe, Beniamini, poeti i rikthyer nga dëbimi i tij, gjithashtu ia del të fitojë mirë duke hartuar eulogji funerale në gazeta, të cilat joshin familjet e të ndjerit. Të tjerë largpamës, shkojnë nga partia në parti – janë rreth pesëdhjetë të tillë – ndërsa më të mençurit mbledhin kartat e anëtarësimit, veçanërisht ato të Partisë Kristian-Islamike dhe të Partisë së të Drejtave të Shkelura. Meqenëse dobia shpirtërore e një feje është në përpjesëtim me kontributin e saj material, “delet lokale të Zotit” herë bëhen Bahá’í, herë Budiste, Islamistë radikalë apo Protestantë, pa harruar Dëshmitarët e Jehovait. Disa preferojnë të largohen nga Shqipëria si skulptori Martin Shpiragu, për t’u kthyer i zhgënjyer, pasi vetëm sa u ka shitur turistëve statuja vajzash të zhveshura dhe riprodhime të Mikelanxhelos.

Të tjerë blejnë certifikata nga shoqatat për pajtimin e familjeve në situatë hakmarrjeje, të cilët pretendojnë se jeta e tyre kërcënohet nga ligjet e ashpra të Kanunit, zakonit shqiptar. Nga ana e saj, një shoqatë kulturore italiane, që merret me “edukimin kulturor të të rinjve të talentuar fshatarë” sjell në Itali vajza të reja, të cilat më pas nuk rikthehen më në vendin e tyre… Në media, gjatë debateve televizive, “pjellë të bashkëpunëtorëve dhe tradhtarëve të atdheut” shfaqin statusin e tyre si analist mediatik dhe “vënë dyshime për numrin e dëshmorëve të rënë në Luftën Nacionalçlirimtare apo për numrin e atyre që ata i quajnë, pseudo-dëshmorët e vrarë legjitimisht nga regjimi komunist”.

Vjen viti 1997 dhe shemben piramidat financiare, duke e zhytur Shqipërinë në kaos, në prag të luftës civile. Grabiten arsenale armatimi, madje vidhen edhe tanket nga kazermat. OKB-ja vendos dërgimin e një kontingjenti të ushtrisë italiane. Në vitin 2008, një kompani amerikanoshqiptare, vendosi të merrej me rikuperimin e armatimit të bollshëm shqiptar pa shumë masa paraprake. Arsenali shpërthen, duke marrë jetën e më shumë se njëzet njerëzve.

Vladimiri, tashmë i shndërruar në tregtar i pasur, bëhet deputet, por, “zbulimi” i një faqeje nga dosja e tij e Sigurimit bëhet publike: ai kish denoncuar shokun e tij që lexonte Sartrin. Veçse lexuesi i librave të ndaluar konsiderohej armik, prandaj dhe partia e tij në pushtet e fal Vladimirin. E megjithatë, ai ndjen njëfarë zbrazëtie dhe nuk ka më asnjë dashuri, përveç qenit të tij, për të cilin bëhet merak tek e sheh duke u futur në ujin e akullt të liqenit ku ishte mbytur vullnetarisht e fejuara e tij.

Diçka i kujtohet me vështirësi. E qeshura e hidhur e Aliçkës përshkon përmbajtjen e thellë të gjithë romanit: asgjë nuk është pranuar sinqerisht; askush nuk kërkon falje. Me hapjen e shoqërisë, xhelatët e justifikuan veten më shumë, teksa një pjesë e madhe e stalinistëve të tërbuar u bënë kapitalistë të shfrenuar. Një prej personazheve pyet e habitur një ish-të burgosur politikisht:

“A mendon vërtet se kujtimet e burgut mund të jenë të dobishme? Çfarë do t’i sjellë rinisë së sotme, kockat e thyera, zymtësinë e vuajtjeve tuaja në birucë? Mund të ndodhë që dëshira e shqiptarëve për t’u larguar nga vendi i tyre është kryesisht ekonomike. Kjo nuk është e pamundur, megjithatë të mos harrojmë edhe hijen e një historie tragjike që nuk është bërë kurrë e qartë. Aliçka qesh në këtë sfond dëshpërimi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga: Sven Auren (pjesë nga libri “Orienti i Evropës”) Përktheu:…