KOMF i bën thirrje Kuvendit të miratojë Projektligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve

25 qershor 2019 | 14:08

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF), i ka bërë thirrje kuvendit të miratojë sa më parë Projektligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve.

Gjatë një konference për media para objektit të Kuvendit, zyrtarët e këtij koalicioni të OJQ-ve kanë vlerësuar se projektligji për Mbrojtjen e Fëmijëve tash e sa vite është inicuar duke mos arritur të miratohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. “KOMF bën me dije që gjendja e fëmijëve në Kosovë është e rëndë, prandaj kërkojmë që Projektligji për Mbrojtjen e Fëmijëve të miratohet sa më shpejtë, në mënyrë që të sigurojë mbrojtjen e fëmijëve. Të dhënat e fundit flasin për një shkallë të varfërisë së fëmijëve prej 20.7%. 10.7% e fëmijëve në Kosovë janë të përfshirë në punë, përderisa 6.8% prej tyre punojnë në kushte të rrezikshme. 61.4 % e fëmijëve në Kosovë kanë deklaruar që kanë përjetuar dhunë fizike apo psikologjike gjatë muajit të fundit të intervistimit, kur është bërë hulumtimi, është thënë në komunikatën për medie të këtij koalicioni, duke shtuar se vetëm 10% e fëmijëve me aftësi të kufizuara kanë qasje  në shërbime cilësore shëndetësore, sociale dhe arsim. “Raportet nga institucionet qeveritare dhe joqeveritare flasim për rritjen e përfshirjes së fëmijëve në sjellje që janë në kundërshtim me ligjin, përfshirë edhe dhunën, pasojat e së cilës në disa raste kanë qenë fatale për vetë fëmijët. Duke pasur për bazë gjendjen e rëndë të fëmijëve në Kosovë, KOMF kërkon nga Kuvendi i Republikës së Kosovës ta vendosë prioritet dhe të miratojë Projektligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve”, është thënë në komunikatë.

Projektligji për Mbrojtjen e Fëmijës ka për qëllim të mbrojë fëmijën nga të gjitha format e dhunës abuzimit, keqpërdorimit, shfrytëzimit, neglizhimit apo ndonjë forme tjetër që vë në rrezik jetën, sigurinë, shëndetin, edukimin, arsimimin dhe zhvillimin e fëmijës. Po ashtu, projektligji ka qëllim të garantojë dhe sigurojë përgjegjësitë e prindërve, familjes, organit të kujdestarisë, shoqërisë dhe të shtetit në kujdesin, mbrojtjen dhe zhvillimin e fëmijës bazuar në interesin më të lartë të fëmijës si dhe ngritjen e sistemit të integruar e funksional të mbrojtjes së fëmijës, për parandalimin dhe përgjigjen efikase ndaj të gjitha formave të dhunës, abuzimit, shfrytëzimit e neglizhimit.

Pas konferencës, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve ka dorëzuar për të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës dokumentin me kërkesën për miratimin e Projektligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekoruar sot me Medalje…