Komisionari Hahn kërkon durim edhe për disa muaj për heqjen e vizave

03 dhjetor 2018 | 18:17

Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian (BE), Johanes Hahn, ka thënë se me liderët në Kosovë dhe Serbi ka biseduar me zhvillimet e fundit në të dyja shtetet.

Hahni në një konferencë për medie nga Zyra e BE-së në Prishtinë, ka thënë se është e rëndësishme që të punohet në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë kontekst, ai ka thënë se BE-ja ka qenë e zhgënjyer nga vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjes e taksës prej 100 përqindësh ndaj produkteve të Serbisë.

Hahni ka thënë se BE-ja gjatë këtyre viteve ka ndarë 2.7 miliardë euro për zhvillimin e Kosovës.

Më tutje, Hahni ka folur edhe për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ai ka thënë se ky proces merr kohë, raporton “Epoka e re”.

“E kuptoj plotësisht padurimin qytetarëve por edhe të politikanëve, por me besoni se edhe unë nganjëherë jam i padurueshëm. Ndërsa sa i përket proceseve vendimmarrëse në BE, dhe një pjesë e flokëve të mija të thinjura janë si shkak i këtyre procedurave. Komisionari Hahn i 2010-s nuk është sikurse në vitin 2018, dhe kjo është për shkak të përvojave që kam pasur. Nëse e krahasojë gjendjen me Ukrainën dhe Gjeorgjinë të cilat janë shtetet e fundit që kanë fituar liberalizimin e vizave, këtyre ju kanë nevojitur një vit e gjysmë për heqjen e vizave. Ne si komision përpiqemi që të bëjmë më të mirën. Tani ne e kemi bindur Parlamentin Evropian dhe tani varet nga shtetet anëtare të BE-së që ta marrin këtë vendim. Tashmë kanë filluar ta shqyrtojnë këtë por kjo merr kohë”, ka thënë Hahni.

Po ashtu ai ka kërkuar që të kihet durim nga Kosova sa i përket heqjes së vizave.

“Kërkoj nga ju që të keni durim edhe për disa muaj që të marrim pëlqimin e 27 shteteve anëtare. Këto janë lojërat e BE-së”, është shprehur Hahn.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Së fundmi është folur shumë për të ardhmen e yllit…