Komisioni i Venecias ‘rrëzon’ planin e qeverisë për nënshtrimin e Prokurorisë

08 dhjetor 2021 | 21:11

Projektligji i propozuar nga qeveria për Këshillin Prokurorial të Kosovës, ka marrë një kahje tjetër. Komisioni i Venecias i ka hedhur poshtë dispozitat kryesore të saj, ndonëse nuk e ka kundërshtuar parimin e vendosjes së ekuilibrit mes prokurorëve dhe anëtarëve laikë në përbërjen e KPK-së.

Komisioni i Venecias i ka cilësuar të rrezikshme hapat e ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës për ndryshimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Në një opinion të nxjerrë më 26 nëntor, të cilin e ka siguruar mediumi online Paparaci, Komisioni i Venecias ka hedhur poshtë propozimet kryesore të Projektligjit për Këshillin Prokurorial.

Opinioni i Komisionit të Venecias është nxjerrë sipas kërkesës së Qeverisë së Kosovës mbi pranimin e këshillave para procedimit të Projektligjit në Kuvendin e Kosovës.

Ministria e Drejtësisë, e udhëhequr nga Albulena Haxhiu, ka thënë se përmes ndryshimeve ligjore në KPK, ekzekutivi synon reformimin e thellë të Prokurorisë së Shtetit.

Megjithatë, Komisioni i Venecias ka vlerësuar se dispozitat e iniciativës ligjore të qeverisë rrezikojnë nënshtrimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës nga politika.

“Reforma nuk duhet të çojë në nënshtrimin e KPK-së ndaj shumicës qeverisëse”, vlerëson Komisioni i Venecias. “Projekt ndryshimet propozojnë që të gjithë anëtarët laikë të zgjidhen me shumicë të thjeshtë në Kuvend. Ky propozim rrit rrezikun e ndikimit të panevojshëm politik mbi KPK-në dhe duhet rishqyrtuar”.

Siç ka raportuar Paparaci rreth një muaj më parë, Projektligji i ri për KPK-në parasheh ridefinimin e përbërjes së Këshillit Prokurorial të Kosovës. Nga 13 anëtarë, nga sa përbëhet Këshillit Prokurorial bazuar në Ligjin aktual në fuqi, propozim-ligji i qeverisë synon të reduktojë përbërjen e KPK-së në shtatë anëtarë.

Katër prej tyre do të zgjedhen nga shumica parlamentare, momentalisht e Lëvizjes Vetëvendosje. Tre të tjerë parashihen të zgjedhen nga sistemi prokurorial.

Rrezikohet pavarësia e Këshillit Prokurorial

Propozimet e përgatitura nga Qeveria e Kosovës për ridefinimin e përbërjes së Këshillit Prokurorial, janë cilësuar të panevojshme nga Komisioni i Venecias.

Organi që funksionin pranë Këshillit të Evropës, ka rekomanduar zgjedhjen e anëtarëve “laikë” të KPK-së vetëm me një shumicë më të gjërë sesa shumica qeverisëse në kuvend. Kësisoj, thotë Komisioni i Venecias, eliminohet mundësia e kontrollimit të KPK-së nga shumica e thjeshtë në kuvend.

Përkundrazi, Komisioni i Venecias sugjeron që anëtarët laikë të mos rrjedhin nga Kuvendi i Kosovës, por nga institucionet e jashtme të pavarura.

“Zgjedhja me shumicë të thjeshtë duhet të zëvendësohet me një sistem zgjedhor proporcional, ose emërimin e disa anëtarëve laikë nga institucionet e jashtme të pavarura ose shoqëria civile. Është e nevojshme të sigurohet që komponenti i KPK-së të jetë mjaftueshëm pluralist, në mënyrë që anëtarët e emëruar me votat e shumicës qeverisëse të mos mund të qeverisin të vetëm”, rekomandon Komisioni.

Komisioni i Venecias ka kundërshtuar edhe dispozitën tjetër kalimtare të Projektligjit, i cili propozon shkarkimin e të gjithë anëtarëve të KPK-së pas hyrjes në fuqi të tij.

Sipas propozimeve ligjore të MD-së, 13 anëtarët që përbëjnë aktualisht KPK-në, të cilët janë mandatuar bazuar në Ligjin aktual për Këshillin Prokurorial, do të shkarkoheshin. Atyre do t’u ndërprehej mandati në gjysmë, raporton Paparaci.

Komisioni i Venecias hedh kategorikisht poshtë këtë propozim. E cilëson të rrezikshme për “pavarësinë prokuroriale”.

“Dispozitat kalimtare që parashikojnë përfundimin e parakohshëm të mandateve të gjithë anëtarëve aktualë të KPK-së dhe lejimin e KPK-së së rinovuar të funksionojë vetëm me anëtarët laikë në përbërjen e tij, janë të rrezikshme për pavarësinë e prokuroriale dhe duhen rishikuar”, konstaton opinioni i Komisionit të Venecias.

Komisioni hedh poshtë edhe dispozitën ligjore që parasheh përjashtimin e Kryeprokurorit të Shtetit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Sipas Komisionit të Venecias, Kryeprokurori i Shtetit “duhet të mbetet anëtar i KPK-së”.

“Kryeprokurori duhet të mbetet si anëtar i KPK-së sipas detyrës zyrtare (me një rregullim përkatës të përbërjes së KPK-së, nëse është e nevojshme. Ligji duhet të përcaktojë më qartë sferat përkatëse të kompetencës së KP-së dhe të KPK-së”, vlerëson opinioni.

Propozimet ligjore të qeverisë parashohin formimin e një komisioni parlamentar, të kryesuar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, që do t’i propozonte deputetëve për votim një listë të ngushtë të kandidatëve për anëtarë të KPK-së.

“Përzgjedhja e katër kandidatëve për anëtar të Këshillit bëhet nga Komisioni i posaçëm i Kuvendit”, thuhet në propozim-ligjin. “Anëtarët e Këshillit zgjedhen me votim të fshehtë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të tij”.

Draft-ligji i qeverisë për Këshillin Prokurorial të Kosovës u publikua në një kohë kur marrëdhëniet mes qeverisë dhe KPK-së u acaruan. Komunikimi mes tyre u ndërpre për rreth një muaj pas përplasjeve të zyrtarëve të MD-së dhe KPK-së.

Çka është Komisioni i Venecias?

Komisioni Venecias është një organ këshillimor pranë Këshillit të Evropës, që në fokusin e vet mbart, interpreton dhe këshillon mbi probleme rreth demokracisë dhe ligjit.

Ai, është një organ këshillues mbi çështjet kushtetuese, i cili u themelua më 1990, shkruan Paparaci.

Ky Komision, sipas përshkrimeve edhe në faqen zyrtare, vazhdon t’u ofrojë shteteve të caktuara ndihmë apo konsulencë kushtetuese duke u përpjekur të luajë rol pozitiv në menaxhimin e krizave.

Detyra kryesore e Komisionit të Venecias, sipas asaj që prezantohet në aktet mbi të cilat funksionon, është të japë këshilla ligjore për vendet anëtare në lidhje me ligjet që janë të rëndësishme për funksionimin demokratik të institucioneve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se vendimi i…