Komisioni për Buxhet miraton marrëveshjen e kredisë për sektorin financiar, PDK-ja voton kundër

01 prill 2026 | 13:45

Komisioni për Buxhet ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin e Zhvillimit të Sektorit Financiar të Kosovës. Ky projektligj ka marrë 6 vota për, 2 kundër dhe 1 abstenim.

Kundër kësaj marrëveshjeje kanë votuar deputetët e PDK-së, Kujtim Gashi dhe Mërgim Lushtaku.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se kjo marrëveshje është mundësi e mirë për forcimin e stabilitetit financiar në vend. Ai ka përmendur katër projekte të rëndësishme që i parasheh ky projekt, përfshirë integrimin e Kosovës në SERA. “Marrëveshja parasheh themelimin dhe financimin e kapitalit fillestar të Bankës Zhvillimore, një projekt tepër i rëndësishëm dhe prioritet për qeverinë tonë. Gjithashtu, parasheh shtimin e kapitalit në Fondin për Garanci Kreditore për dritare të reja shtesë, që të përmirësohet qasja në financim për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme. Marrëveshja parasheh edhe mbështetje të Fondit për Sigurimin e Depozitave, në ndryshim të kornizës ligjore, po ashtu edhe me shtimin e kapitalit shtesë, në mënyrë që niveli i depozitave të siguruara në bankat e Kosovës të ngritet nga 5 mijë euro aktualisht në 10 mijë euro. Komponenta e katërt kyçe ka të bëjë me integrimin e Kosovës në SERA, që nënkupton kosto të transfereve tepër më të ulëta sesa këto që janë aktualisht. Shuma totale e marrëveshjes është 49.3 milionë euro dhe periudha e kthimit për 35 milionë euro për komponentën A është 5 vjet periudhë grejs dhe 25 vjet kthim. Për komponentën B janë 14 milionë euro dhe 5 vjet periudhë grejs dhe 5 vjet kthim”, ka thënë Murati.

Ndërsa deputeti i PDK-së, Kujtim Gashi, ka vlerësuar se Kosova nuk ka nevojë për një borxh të tillë, duke shtuar se deputetët e kësaj partie, që janë anëtarë të Komisionit për Buxhet, nuk e mbështesin këtë marrëveshje. “Ne mendojmë se Kosova nuk ka nevojë të marrë një borxh të tillë, një kredi për asistencë teknike, për të cilën jemi të bindur se mund të mbulohet nga vetë ju, për shkak se buxheti e mundëson një gjë të tillë, duke pasur parasysh shumë marrëveshje dhe shumë kredi”, ka thënë Gashi.

Në anën tjetër, anëtari i Komisionit për Buxhet nga radhët e LDK-së, Besian Mustafa, është interesuar të dijë më shumë për dallimin në mes të Bankës Zhvillimore dhe Fondit për Garanci Kreditore.

Në këtë kontekst, ministri Murati ka dhënë disa sqarime. “Banka Zhvillimore parasheh që, përmes ofrimit të instrumenteve të reja shtesë, të krijohet konkurrueshmëri me sektorin. Në situata ku ka mungesë likuiditeti apo në situata ku bankat kanë arritur ekspozimin maksimal, këtu hyn Banka Zhvillimore. Ideja është të ofrohen instrumente të tjera të pagesave apo instrumente të quajtura për garantime të pagesave për import apo eksport, të cilat bankat aktuale mund të kenë kufizime sa i përket ekspozimit, dhe Fondi nuk ofron një gjë të tillë. Synimi është që tek ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të arrihet edhe përmes partneritetit aktual bankar”, ka thënë Murati.

Besian Mustafa, qysh në fillim të mbledhjes së këtij komisioni, ka kërkuar që në rend dite të shtohet edhe çështja e rritjes së çmimeve të produkteve, përfshirë ato të naftës dhe energjisë. “Propozoj çështjen e çmimeve të naftës dhe energjisë, që kanë reflektim tek çmimet e të gjitha produkteve tjera dhe vështirësimin e standardit të jetesës. Pra, thjesht kërkojmë raportim nga ministri i Financave se çfarë ka bërë Qeveria e Kosovës dhe çfarë po planifikon të bëjë për të mbrojtur dhe përkrahur qytetarët e Kosovës ndaj këtyre çmimeve”, ka thënë ai.

Kurse kryetari i Komisionit për Buxhet, Enver Haliti, ka thënë se për këto kërkesa tashmë LDK-ja ka ftuar një seancë të jashtëzakonshme për të premten.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës (AShAK), në bashkëpunim me…