Komisonerja Kos e pret Spiropalin në Bruksel: Shqipëria rast suksesi, mbështesim ambicien për mbylljen e negociatave brenda vitit 2027

27 tetor 2025 | 13:06

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali është takuar me komisioneren për zgjerim të Bashkimit Evropian (BE), Marta Kos.

Në takimin me zyrtaren e lartë të BE-së është analizuar ritmi i procesit të negocimit, të reformave, rezultateve dhe pritshmëritë për rrugëtimin evropian të Shqipërisë.

Ministrja Spiropali ka theksuar se në Komisionin Evropian, “Shqipëria veçohet e vlerësohet si vendi ku premtimet dhe angazhimet nuk janë fjalë, por vepra, siç tregon ecuria e zbatimit të Planit të Ri të Rritjes”.

“Në Bruksel, Shqipëria pritet me besim dhe trajtohet me respekt! Me komisioneren për zgjerimin, Marta Kos, mbështetësen e madhe të zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe anëtarësimit të Shqipërisë në BE analizuam ritmin e procesit të negocimit, të reformave, rezultateve dhe pritshmëritë për më tej. Krenare që Shqipëria veçohet e vlerësohet si vendi ku premtimet dhe angazhimet nuk janë fjalë, por vepra, siç tregon ecuria e zbatimit të Planit të Ri të Rritjes.  Falë reformave strukturore në fushat e konkurrueshmërisë, zhvillimit të qëndrueshëm, integrimit ekonomik, energjisë dhe digjitalizimit, Komisioni Evropian disbursoi së fundmi 100 milionë euro për Shqipërinë në kuadër të këtij instrumenti. Një tjetër provë se Shqipëria jo vetëm po investon efektivisht e me përfitime reale për qytetarët, por po ndërton një shembull të angazhimit për ndryshim e integrim ne rajon”, ka shkruar Spiropali në “Facebook”.

Ndërsa komisionerja për zgjerim të Bashkimit Evropian (BE), Marta Kos, ka theksuar se “ne mirëpresim dhe mbështesim ambicien e Shqipërisë për mbylljen e negociatave të anëtarësimit brenda 2027”.

Ajo ka përgëzuar Shqipërinë për rezultatet e arrira në kuadër të Planit të Rritjes, duke dhënë një shembull pozitiv në rajon.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një ngjarje e madhe do të shënohet në fund të…