Kusari-Lila: Mund të ketë reflektim nga disa deputetë për formimin e qeverisë ‘Kurti 3’
Kryetarja e Alternativës dhe partnere e koalicionit me Vetëvendosjen, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se gjatë ditëve të mbetura të afatit kushtetues ekziston mundësia që disa deputetë të ndryshojnë qëndrim dhe të mundësojnë formimin e Qeverisë Kurti, duke theksuar se disa deputetët nuk mund të jenë më në Kuvend.
Kusari-Lila ka vlerësuar se në mungesë të reflektimit politik, Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të reja parlamentare.
“Unë besoj që i vetmi ndryshim mund të jetë që në rast se ka vullnet të deputetëve të caktuar për të votuar qeverinë dhe mandatarin, në këtë rast kryeministri Albin Kurti mund të garantojë se i ka 61 vota dhe të thirret një seancë tjetër brenda afatit kushtetues. Kjo është e vetmja formë, por jam e bindur se nëse nuk ka ndryshim të qasjes apo të pozicioneve, zgjedhjet, siç po shihet, po shkojnë drejt atij drejtimi”, ka thënë Kusari-Lila.
Sipas saj, edhe pse nuk ka shumë shpresë, deputetët kanë ende hapësirë për reflektim.
“Unë besoj që brenda këtij 24-orëshi deputetët e kanë pasur mundësinë, nëse do ta kenë edhe në ditët dhe orët në vijim hapësirën për të reflektuar. Procesi zgjedhor është proces zgjedhor dhe ne natyrisht përgatitemi, edhe prej më herët e kemi ditur se zgjedhjet, siç e kam deklaruar publikisht, janë e vetmja zgjidhje e qëndrueshme duke marrë parasysh edhe proceset tjera, zgjedhjen e presidentit. E vetmja mënyrë për një qeveri që të ketë një afat më të shkurtër ka qenë votimi ose pranimi i qeverisë Kurti të propozuar dje në mënyrë që të tejkalohet kjo bllokadë me çështjen e buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, ka thënë ajo për “Ekonomia Online”.
Kusari-Lila ka theksuar se disa deputetë duhet ta kuptojnë se mund të jetë hera e fundit që janë pjesë e Kuvendit.
“Unë në veçanti nuk kam shpresë, por nëse ata kanë reflektime, le ta vlerësojnë vetë. Ka deputetë, fatkeqësisht, siç ju kam thënë edhe në seancë disave që e kanë parë për këtë periudhë të shkurtër Kuvendin ose kanë qenë e kanë marrë këtë mandat dhe do të jetë mandati më i shkurtër ndonjëherë në Kosovë për deputetë që janë zgjedhur disa për herë të parë ndoshta edhe të fundit. Disa nuk e di a do të kenë mundësinë që të zgjidhen prapë. Ka qenë një mundësi për të tejkaluar një ngërç të krijuar si rrjedhojë me pasoja të tjera për qytetarët dhe ndoshta me reflektim dhe konstruktivitet për deputetët. A do të ketë diçka të tillë nuk e di, por mundësi ekziston edhe 9 ditë të mbetura për këdo që mund t’i ketë 61 numra për Kurtin dhe LV-në”, ka thënë ajo.
Lidhur me hapat e mëtejmë, ajo ka thënë se gjithçka mbetet në dorën e presidentes.
“Është në diskrecion të presidentes, do të thotë është në diskrecion të presidentes e cila mundet që në konsultim me partitë politike të pyesë se a është dikush i gatshëm që t’i sjell 61 numra të deputetëve, por gjithmonë mbetet diskrecion i saj”, ka thënë ajo.
Duke folur për ngërçin politik në Kuvend, Kusari-Lila, ka thënë se bllokada ka nisur që nga votimi për kryeparlamentaren Albulena Haxhiu e deri te pamundësia për të siguruar shumicën për qeverinë.
Ajo ka thënë se edhe përkundër përpjekjeve për marrëveshje me deputetë nga Nisma Socialdemokrate dhe përfaqësues të komuniteteve jo shumicë, shumica e nevojshme nuk është arritur.
Kusari-Lila ka shtuar se në mungesë të kompromisit, zgjedhjet e reja janë të pashmangshme.
Ajo ka thënë se edhe pse opozita ka tentuar ta paraqesë si përgjegjësi të Vetëvendosjes, bllokimi është pasojë e mungesës së vullnetit për dialog nga partitë e tjera.
Sipas saj, zgjedhjet tashmë janë të pashmangshme dhe pritet të mbahen gjatë dhjetorit.
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës më 26 tetor, Albin Kurti, kryeministër në detyrë dhe mandatar për të formuar qeverinë e re, nuk ka arritur t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për të nisur një mandat të ri në pushtet. Ai ka marrë 56 vota për, 52 kundër dhe 4 abstenime.



