Kompleksit sportiv “Arben Zeka” në Pejë do t’i shtohet fusha e pestë e tenisit
Nënkryetari i Federatës së Tenisit të Kosovës (FTK), Shkëlzen Domi, është pritur në një takim pune nga klryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, si dhe nga drejtoresha e DKRS në Pejë, Xhenet Syka.
Gjatë këtij takimi, kryetari Muhaxheri ka njoftuar për ndërtimin e fushës së pestë të tenisit në kompleksin sportiv “Arben Zeka” në Brestovik, duke plotësuar kërkesën e KT Peja dhe FTK-së për zhvillimin e infrastrukturës sportive.
Me këtë investim, plotësohet edhe kriteri shtesë i kërkuar nga ITF dhe Tennis Europe për organizimin e turneve ndërkombëtare.
Po ashtu është bërë me dije se gjatë këtij viti do të realizohet edhe rishtresimi i fushave ekzistuese në Brestovik.
Në emër të FTK-së, nënkryetari Domi ka falënderuar kryetarin Muhaxheri dhe drejtoreshen Syka duke vlerësuar Komunën e Pejës për bashkëpunimin dhe mbështetjen institucionale në zhvillimin e infrastrukturës së tenisit.
FTK-ja dhe KT Peja janë të gatshme të presin edicionin e tetë me radhë të turneve ndërkombëtare “Peja Open”.



