Komuna e Mitrovicës arrin të shpenzojë 98.32 për qind të buxhetit në vitin 2019

10 shkurt 2020 | 15:35

Drejtuar nga kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, dhe nënkryetari Faruk Mujka, sot është mbajtur mbledhja e radhës e Bordit të Drejtorëve, ku janë diskutuar për disa çështje me interes për qytetarët e kësaj komune.

Fillimisht drejtori për Financa dhe Zhvillim Ekonomik, Shukri Gashi, ka njoftuar ekzekutivin lidhur me raportin financiar janar- dhjetor 2019, ku sa i përket inkasimit të të hyrave vetanake, Komuna e Mitrovicës gjatë vitit 2019 ka inkasuar 2 306 821 55 euro, duke realizuar 93 61 për qind të planifikimit për vitin 2019 (planifikimi ka qenë 2 464 403 euro).

Ai ka thënë se sa i përket të hyrave vetanake ka pasur rritje prej 13.08 për qind në krahasim me vitin 2018.

Kurse sa i përket shpenzimit të buxhetit, Komuna e Mitrovicës ka arritur të shpenzojë 98.32 për qind të buxhetit të gjithëmbarshëm, kurse obligimet e papaguara të komunës në krahasim me vitin 2018 kanë pësuar rënie prej 47.54 për qind.

Më tutje, drejtori i Inspeksionit, Hysni Ahmeti, ka njoftuar të pranishmit për kujdestaritë e organizuara nga kjo drejtori, duke inspektuar subjektet afariste lidhur me vendimin për respektimin e orarit të punës. Ai ka thënë se vendimi për ditën e diel të jetë ditë pushimi për të gjitha bizneset në Mitrovicë është duke u respektuar në përpikëri.

Në anën tjetër, drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Tafil Peci, ka prezantuar agjendën e aktiviteteve të cilat Komuna e Mitrovicës do t’i mbajë për nder të Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Ai ka thënë se me rastin e kësaj dite do të dekorohet i gjithë qyteti me flamuj.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një aksident i rëndë ka ndodhur sot në mesditë në…