Komuna e Mitrovicës njofton për tri projekte që janë në proces të realizimit

22 shkurt 2021 | 13:16

Nën kryesimin e kryetarit të komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, dhe në prani të nënkryetarit Faruk Mujka, drejtorëve të drejtorive komunale, është mbajtur mbledhja e radhës e Bordit të Drejtorëve, në të cilën janë shqyrtuar një varg çështjesh me rëndësi për jetën e qytetarit.

Fillimisht drejtori për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Ekrem Sadiku, ka njoftuar bordin se janë tri projekte të cilat janë në proces të realizimit. Projekti i serrave i mbështetur nga Drejtoria e Bujqësisë, projekti nga Chatar Charity për ndarjen e 40 granteve si dhe projekti nga IADK, Zyra e Punësimit, dhe Drejtoria e Bujqësisë me 30 grante dhe trajnime në sektorë të ndryshëm të bujqësisë.

Ndërsa, drejtori për Infrastrukturë dhe Shërbime Publike, Naser Muja, ka bërë me dije se zyrtarët komunalë pasi e kanë marrë informatën për shembjen e dheut në një rrugë të Shalës së Bajgores kanë dalë për inspektim, me ç’rast u konfirmua se rruga e shembur nuk është ndërtuar nga komuna e Mitrovicës.

“Rruga e shembur në Shalë të Bajgores nuk është ndërtuar nga Komuna e Mitrovicës, por nga kompania ‘Sowi Kosova’ e cila është duke punuar në ngritjen e parkut energjetik, përkatësisht në vendosjen e turbinave të erës”, ka thënë drejtori Muja.

Kurse drejtoresha e Shëndetësisë, Erseka Hasanaj Barani, ka njoftuar ekzekutivin lidhur me gjendjen aktuale me virusin Covid-19, ku aktualisht kemi 147 raste aktive dhe 163 të shëruar në komunën e Mitrovicës.

Me këtë rast, drejtoresha Barani ka apeluar te qytetarët që t’i respektojnë masat duke mbajtur maskën dhe ruajtur distancën sociale.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidatja për deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Alma…