
Komuna e Prishtinës, kontratë 1.5-milionëshe me ‘Pastrimin’ për punë shtesë
Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci, pas takimit me përfaqësuesit e Sindikatës së Ndërmarrjes “Pastrimi”, ka njoftuar se është arritur marrëveshja për nënshkrimin e një kontrate në vlerë prej 1.5 milion euro për punë shtesë të kësaj ndërmarrje.
Ai ka theksuar se nëse krijohen kushtet, “Pastrimi” do të marrë përsipër 1/3 e regjionit të Prishtinës, duke e shtuar kapacitetin operativ krahas dy operatorëve ekzistues.
Brestovci ka thënë se Komuna e Prishtinës është e gatshme të thërrasë një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar subvencionimin e pagave për punëtorët.
“Jemi dakorduar që nga sot, me një person të autorizuar nga ndërmarrja ‘Pastrimi’, ta nënshkruajmë kontratën prej 1.5 milion euro për punën shtesë. Ne u dakorduam që nëse krijohen kushtet nga ndërmarrja ‘Pastrimi’ dhe ata kanë mundësi të dalin e të operojnë për të kryer shërbimin, ta kenë 1/3 e regjionit të Prishtinës, sepse aktualisht kemi vetëm dy operatorë ekonomikë. Nga ana jonë nuk ka asnjë hezitim. Ne shprehëm gatishmërinë që të thërrasim një seancë të jashtëzakonshme për ta sjellë sërish vendimin për subvencionimin e pagave për punëtorët. Natyrisht, duhet të punojmë bashkërisht”, ka thënë Brestovci.
Para arritjes së kësaj marrëveshje, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka pritur në takim përfaqësuesit e Sindikatës së Ndërmarrjes “Pastrimi” pas situatës së rëndë të krijuar në kryeqytet, për shkak mosheqjes së mbeturinave disa ditë, ku ka ngjallur pakënaqësi të mëdha tek qytetarë.
Rama ka thënë se punëtorët nuk janë fajtorë për situatën e krijuar dhe ka theksuar se problemi qëndron te menaxhmenti i ndërmarrjes, që sipas tij, nuk ka ditur t’i menaxhojë proceset.
Ndërsa përfaqësuesit e Sindikatës së Ndërmarrjes “Pastrimi, kanë kërkuar të mos dëmtohen punëtorët.