Nora Cimili-Gagica rikthehet në krye të NPL “Gjelbër”
Nora Cimili-Gagica është zgjedhur sërish në krye të ndërmarrjes publike lokale “Gjelbër”, menjëherë pasi ka lënë mandatin e saj si asambliste e Partia Demokratike e Kosovës në Kuvendi Komunal i Prishtinës. Procedurat për përzgjedhjen e kryeshefit/es ekzekutiv/e të ndërmarrjes “Gjelbër” ishin hapur nga 15 dhjetori 2025 deri më 5 shkurt 2026. Ndërkohë, Cimili-Gagica kishte dhënë dorëheqje nga posti i kuvendares më 30 dhjetor 2025, më pak se dy javë pasi ishte betuar më 9 dhjetor 2025 si përfaqësuese në Kuvendin Komunal të Prishtinës.
Megjithëse konkursi për pozitën e kryeshefit/es përfundoi më 5 shkurt 2026, në faqen zyrtare të ndërmarrjes “Gjelbër” nuk ishte publikuar emri i kandidatit/es së suksesshëm/me. Nga NPL “Gjelbër” është konfirmuar se në këtë pozitë është përzgjedhur Nora Cimili-Gagica, e cila ka marrë gjithsej 87.50 pikë. Sipas përgjigjes zyrtare, për këtë pozitë kanë aplikuar pesë kandidatë, prej të cilëve tre kanë përmbushur kriteret e përcaktuara në konkurs. Vlerësimi i kandidatëve është bërë nga Komisioni vlerësues, njëherësh bordi i Ndërmarrjes “Gjelbër”, në përbërje: Dren Kafexholli – kryesues; Kreshnik Domi – anëtar; Mimoza Blakaj – anëtare dhe Besarta Morina – anëtare. Në vend të Nora Cimili-Gagica në Kuvendin Komunal të Prishtinës është betuar Arbnora Ajeti si asambliste e Partisë Demokratike të Kosovës.



