Komuna e Prishtinës shpërndan 1 600 pako higjienike për familjet në nevojë

30 mars 2020 | 10:39

Komuna e Prishtinës, në bashkëpunim me një grup vullnetarësh, kanë filluar shpërndarjen e 1 600 pakove higjienike për familjet në nevojë, për të vazhduar më pas edhe me pako ushqimore.

Premtim Fazliu, koordinator nga Drejtoria për Mirëqenie Sociale në Komunën e Prishtinës, tha se pakot do t’u shpërndahen familjeve me asistencë sociale. Ai ka treguar se janë duke grumbulluar edhe ushqime, e që do të shpërndahen ditën në vazhdim. “Sot do të shpërndahen 1 600 pako higjienike për familjet me asistencë sociale. Do të shpërndajmë vetëm pako higjienike, por jemi duke e grumbulluar edhe sasinë e pakove ushqimore, varësisht sipas nevojës së personave me asistencë sociale. Do të dërgojmë në secilën pjesë të Prishtinës, sepse ne çdo pjesë të fshatrave dhe lagjeve të Prishtinës ka një ose dy persona në një familje me asistencë sociale. Do të shpërndahen dezinfektues të duarve, shampon dhe detergjent. Prioritet i kemi vetëm familjet me asistencë sociale”, ka treguar Fazliu. Ai ka shtuar se komuna ka marrë të gjitha masat e nevojshme për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, raporton EO. “Solidaritetin dhe vullnetarizmin e secilit qytetar të përfshirë në këtë iniciativë e vlerësojmë lart ne si komunë. Ne kemi marrë të gjitha masat për distancë sociale, duke filluar nga dezinfektuesit e duarve, dorëzat dhe maskat dhe kësisoj po përpiqemi t’i shmangemi përhapjes së koronavirusit”, ka thënë Fazliu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
A ekziston rreziku të infektoheni duke prekur me duart tuaja…