Komuna e Prishtinës siguron pelet për shkollat që mbeten pa ngrohje (video)

11 mars 2022 | 16:50

Në shkollën fillore “Nazim Gafurri” në kryeqytet, dje pasdite e këtë të premte mësimi është zhvilluar online, për shkak të mungesës së ngrohjes qendrore.

Klankosova.tv ka kontaktuar me drejtoreshën e shkollës “Nazim Gafurri”, Ardianë Makolli, e cila tha se zgjidhja i është premtuar nga komuna të hënën.

“Online kemi qenë sot dhe dje pasdite për shkak të mungesës së peletit. Komuna na ka thënë që ka mungesë të peletit në treg dhe ka përfunduar kontrata me kontraktuesin. Na ka premtuar se zgjidhja bëhet ditën e hënë”.

Në lidhje me këtë, për Klankosova.tv ka folur edhe drejtoresha e Arsimit në komunën e Prishtinës, Besiana Musmurati, e cila tha se tashmë është nënshkruar kontrata për furnizimin e shkollave me pelet.

“Ka pasë mungesë të peletit në të gjithë Kosovën. Por, sot arritëm të nënshkruajmë kontratën e re për furnizim, që do bëhet gjatë vikendit në të gjitha shkollat”, ka thënë Musmurati, njofton Klankosova.tv.

Kujtojmë se përveç shkollës “Nazim Gafurri”, mungesë të ngrohjes patën edhe shkolla “Andon Zako Çajupi në fshatin Bardhosh të Prishtinës, shkolla “Shkendija” në Hajvali e shkolla “Eqrem Çabej”.

Në lidhje me këtë, gjatë ditës së djeshme Klan Kosova ka raportuar se në shkollën “Andon Zako Çajupi” në Bardhosh mësimi për dy ditë nuk u zhvillua në hapësirat shkollore, pikërisht për shkak të mungesës së peletit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komiteit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi, ka…