Komuna e Shtimes heq nga karantina lagjen ku rezultoi një person i prekur me koronavirus

30 mars 2020 | 18:00

Komuna e Shtimes ka mbajtur mbledhjen e Shtabit Emergjent Lokal (SHEK) nën udhëheqjen e kryetarit të Komunës, Naim Ismajli, njëherësh edhe kryesues i këtij Shtabi.

Gjatë këtij takimi është diskutuar për gjendjen e deritanishme në komunë, ku nga rasti i parë që i konfirmuar me koronavirus javën e kaluar në fshatin Petrovë, u tha se nuk ka asnjë rast tjetër të konfirmuar. Kryetari Ismajli bëri të ditur se gjendja e pacientit është e mirë dhe stabile dhe se familjarët e tij nga analizat e bëra në Institutin Shëndetësor të Kosovës kanë rezultuar negative.

Prandaj, sipas tij, lagja “Hysenaj” në fshatin Petrovë, nga ku vjen pacienti që rezultoi pozitiv me koronavirus, hiqet nga karantina.

“Lagjja Hysenaj në fshatin Petrovë nga ky moment hiqet nga karantina, me kërkesë që lëvizjet e qytetarëve të kësaj lagjeje të jenë më të kujdesshme, ndërsa familja e ngushtë të qëndrojë së paku edhe një javë në vetizolim”, thuhet në njoftimin për media të kësaj komune.

“Gjithashtu u diskutua edhe për Mbledhjen e Jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal e cila do të mbahet më 1 prill 2020, ku u tha se Shtabi mbështet idenë që pakoja financiare në Kuvend të propozohet në vlerë prej 200 mijë euro, ndërsa SHEK do të përcjellë nevojat në të gjitha fushat, emergjencat, shërbimet publike, ushqim e veshmbathje ku do të destinohen për përgatitjen e pakos për 400 familje në gjithë territorin e komunës së Shtimes. Nga ky takim është nxjerrë edhe apeli se, përkundër një gjendjeje stabile që po konsiderohet aktualisht në këtë komunë, por që për të cilën u tha se nuk dihet se si do të jetë nesër, “kërkesa është që qytetarët t’i respektojnë udhëzimet e dala nga Shtabi Emergjent dhe udhëzimet që na vijnë nga niveli qendror për t’i shmangur të gjitha flukset dhe lëvizjet e qytetarëve të jenë të kufizuara. Luteni që të vazhdoni të qëndroni në shtëpitë e juaja dhe të mos dilet pa pasur ndonjë emergjencë”, u tha në komunikatë.

Sipas kësaj komunikate, Ismajli ka thënë se gjendja me furnizim është e mirë, pakot ushqimore janë duke u shpërndarë te familjet me asistencë sociale dhe te ato familje të identifikuara më me nevojë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mauricio Pochettino është aktualisht favorit për t’u bërë trajner i…