Përfundon përditësimi i kontratave të punës për të gjithë punonjësit e Shëndetësisë Primare në Gjakovë

21 nëntor 2026 | 09:06

Menaxheri i Burimeve Njerëzore, Kushtrim Brahimaj, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, ka zhvilluar një takim pune me udhëheqësit dhe kryeinfermierët e njësive organizative të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Gjakovë. Në takim ishin të pranishëm edhe drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Lulzim Goqi, si dhe drejtori i QKMF-së, Arben Koshi.

Gjatë këtij takimi u konfirmua përmbyllja me sukses e procesit të përditësimit të kontratave të punës për të gjithë nëpunësit e Shëndetësisë Primare në Komunën e Gjakovës, në përputhje me dispozitat e legjislacionit në fuqi për zyrtarët publikë.

Me këtë rast, menaxheri Brahimaj theksoi rëndësinë e zbatimit të përpiktë të Kodit të Etikës, duke kërkuar nga strukturat drejtuese të QKMF-së mbikëqyrje të vazhdueshme në të gjitha njësitë organizative. Ai vuri në pah domosdoshmërinë e respektimit të standardeve profesionale sa i përket veshjes, paraqitjes dhe sjelljes së punonjësve, në përputhje me natyrën dhe përgjegjësitë e vendit të punës.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe respektimit të orarit të punës dhe përmbushjes së detyrave zyrtare, të cilat përbëjnë obligim për secilin zyrtar publik. Në këtë drejtim, Brahimaj kërkoi nga udhëheqësit dhe kryeinfermierët që të sigurojnë mbikëqyrje të rregullt të evidencës elektronike të hyrje-daljeve, prezencës fizike në vendin e punës, si dhe realizimit të detyrave dhe përgjegjësive nga secili punonjës.

Takimi shërbeu si një mundësi për të riafirmuar përkushtimin institucional ndaj ligjshmërisë, përgjegjësisë profesionale, disiplinës në punë dhe ofrimit të shërbimeve shëndetësore cilësore për qytetarët e Komunës së Gjakovës.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Mauricio Pochettino mund ta kompletojë repartin ofensiv të Manchester Unitedit…