LDK-ja merr katër drejtori në Shtime, Kastriot Shabani emërohet drejtor i Arsimit
Pas zyrtarizimit të koalicionit ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LV) në Komunën e Shtimes, kryetari i LDK-së në këtë komunë, Kastriot Shabani, ka bërë të ditur se cilat drejtori do t’i udhëheqë partia e tij.
Shabani ka njoftuar se ka marrë zyrtarisht detyrën e drejtorit të Arsimit, ndërsa ka prezantuar edhe emrat e personave që do të udhëheqin tri drejtoritë e tjera që i janë ndarë LDK-së.
Sipas njoftimit të tij, Kadri Emini do të jetë drejtor i Bujqësisë, Rrezartë Ramadani drejtoreshë e Inovacionit, ndërsa Donika Zeqiri drejtoreshë e Administratës.
“Drejtori i Arsimit”, ka shkruar Shabani, duke bërë të ditur se tashmë kanë zgjedhur edhe përfaqësuesit e tjerë të partisë në pozitat komunale.
Në kuadër të marrëveshjes, LDK-ja ka siguruar edhe pozitën e kryesuesit të Kuvendit Komunal, ndërsa Shefqet Krasniqi është zgjedhur nënkryetar i Komunës së Shtimes.
Shabani ka falënderuar Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) për bashkëpunimin gjatë një viti, duke vlerësuar korrektësinë dhe kontributin e saj gjatë kësaj periudhe.
“Na priftë e mbara të gjithëve! Punë të mbarë, bashkëpunim dhe shumë suksese në përgjegjësitë e reja, në shërbim të qytetarëve!”, ka shkruar ai.
LDK-ja dhe LVV-ja e kanë zyrtarizuar marrëveshjen e koalicionit për qeverisjen e Shtimes, pas së cilës LDK-së i janë ndarë katër drejtori komunale dhe pozita e kryesuesit të Kuvendit Komunal.



