SI U FORMUA UÇK-ja NË JUNIK

20 nëntor 2026 | 11:15

Shkruan: Hajdin Abazi

Ndonëse e kam thënë edhe më përpara, por në kontekst të këtij trajtimi, do t’i sjellë në kujtesën publike disa të dhëna relevante se si është formuar UÇK-ja në Junik e mandej edhe në Rekë të Keqe.

Qëndrimi politik i LDK-së ishte i padrejtë ndaj anëtarësisë së gjerë të saj

Pas përfundimit të luftës çlirimtare, sidomos, LDK-ja është ndodhur në një pozitë të dyfishtë në raport me UÇK-në.
Në nivelin qendror nuk reflektuan asnjëherë qartë dhe publikisht lidhur me politikën pacifiste edhe pas Rambujesë kur shihej se ajo nuk po jepte as dhe një fryt të vetëm më dhe kur lufta çlirimtare përfshiu tërë Kosovën, e pikërisht kjo e pengoi LDK që ta artikulonte dhe ta kthente në vlerë edhe të saj kontributin që e kishte dhënë anëtarësia e saj e gjerë në terren.
Ky qëndrim ishte i padrejtë; i padrejtë ndaj vetë anëtarësisë së LDK-së.
Sepse, sa i përket gjendjes në terren dhe në fronte të luftës, nuk kishte atëherë dhe nuk ka as sot asnjë arsye të ndjehet sikur UÇK-ja nuk ishte edhe e LDK-së.
Kjo pati bërë që pjesa dërrmuese e veprimtarëve të LDK-së që kishin ndihmuar e marrë pjesë në UÇK, të largoheshin prej saj dhe u përfshinë në parti të tjera. Ky ishte çmimi fillestar që e pagoi ajo; e që herë-herë edhe sot i shfaqet si barrierë.
Sigurisht, nuk ka qenë ideale dhe as ashtu sikurse do të ishte dashur, por as nuk duhet tejdimensionuar ndonjë qëndrim a pikëpamje, ndërmarrje a përpjekje, e kujtdo qoftë që mund të kishin ngarkesa personale qoftë nga eksponentë të LDK-së e qoftë nga të UÇK-së, që e ushqente gabimisht dikotominë e radhëve ushtarake të luftës çlirimtare thuaja deri në armiqësi. Në këtë frymë, ka pasur dhe një tendencë përçarëse, që të organizohet në një rast përvjetori i parë i çlirimit jo vetëm në organizim komunal, po si rivalitet të organizohej edhe nga LDK-ja në të njëjtën kohë dhe në hapësirën afër – e që ju doli tejet të zbehtë, me çka u dha përgjigja nga populli dhe anëtarësia e gjerë e LDK-së nuk e donin konfliktin dhe përçarjen kur janë në pyetje interesat kombëtare.
E keqja nuk u përkrah, sepse nga veprimtarë të të gjitha partive politike që e donin lirinë përtej karrierës, interesit meskin dhe që e dinin se përçarja mund të çonte në luftë civile, u amortizuan dhe u shuan gradualisht veprimet e tilla.
Duhet të kihet parasysh se nuk janë pikëpamjet, mendimet, hamendësimet, dyshimet, rezervat, frika (nga mosnjohja e ndërsjellë në nivel personal, apo nga infiltrimet e spiunazhit serb), ose ndonjë ingredientë tjetër aksidental që e bën historinë, ani se mund të tregojnë botëkuptimet ekzistuese aty-këtu; jo, është realiteti ajo që është e vërtetë, që tashmë i përket historisë së lavdishme të luftës çlirimtare.
E ai realitet, po te mund të kthehet pas si një film, do të shihej se përballë armikut shqiptarët ishin unik, se që të gjithë luftonin për kombin dhe kundër pushtuesit.
Ky ishte kufiri kombëtar, që, përkundër divergjencave, mospajtimeve e ndonjë veprimi të gabuar, i bëri shqiptarët të mbeten në taborin e lirisë e të luftës çlirimtare.
Kjo është ana e ndritshme e madhështisë së luftës çlirimtare të shqiptarëve të fundshekullit XX, e cila nuk lejoi të degradonte e të degjeneronte rezistencën e armatosur në luftë vëllavrasëse; dhe këtu kanë hise të gjithë ata, nga të dyja organizimet ushtarake, që kanë kontribuar për amortizimin e ndonjë përpjekjeje të gabuar, shuarjen e saj, mos devijimin e objektivit madhor të luftës sonë çlirimtare e deri te bashkërendimi në front lufte. Kjo është historia, fryti i vërtetë i saj.

Juniku ishte organizuar mëvetësishëm në luftën çlirimtare

Lufta çlirimtare në Junik ka disa specifika, që pak janë afirmuar, e pra paraqesin një thesar të vërtetë të vlerave politike, partiake, kombëtare dhe të unitetit për liri e që tregonte nivelit e lartë të ndërgjegjes së tyre shqiptare.
Në Junik, edhe më parë kishte pasur nisma për organizim të njësive të UÇK-së, nga që Juniku kishte shërbyer si vendndalim për vullnetarët që shkonin të furnizoheshin me armë e municione në Shqipëri dhe ktheheshin pastaj për në vijat e frontit. Kjo do të mbetet kontributi po ashtu i madh edhe kur Juniku u shndërrua në nënzonë të lirë të UÇK-së. Madje, sikurse e kam theksuar edhe më parë, qoftë edhe vetëm për këtë mikpritje bujare, me pritje e përcjellje të vullnetarëve, ku strehoheshin, flinin, çlodheshin dhe ushqeheshin – Juniku dhe junikasit do të përbënin një faqe të lavdishme për këtë kontribut.

Porse, në Junik pati shumë më shumë se kaq.

Rezistenca e armatosur në Juniku kishte nisur më 29 maj 1998, kur ishin rrethuar dhe sulmuar nga forcat agresore serbe dhe junikasit kishin vendosur të mos dorëzoheshin, të mos i nënshtroheshin atij agresioni dhe hapën front lufte për të mbrojtur Junikun, familjet dhe njerëzit nga terrori serb, dhe që do të bëhej një vatër e madhe e luftës çlirimtare.

Junikasit kishin vepruar historikisht drejt, as herët e as vonë, po pikërisht kur duhej të tregohej se shqiptarët nuk e pranojnë robërinë serbe.

Në këtë gjendje të mobilizuar dhe të vetorganizuar e gjetëm junikasit kur në ditët e para të qershor të vitit 1998 mbërritëm në Junik grupi i vullnetarëve të UCK të prirë nga major Sali Veseli.

Një natë qëndruam në odën e Nimon Tofajt, i cili na priti me bujari dhe gëzim. U mblodh shtabi lokal i UÇK-së për Junik, me komandantin e tyre Gani Shehu. Aty u bisedua për gjendjen organizative, mobilizimin dhe për nevojat e ngutshme.

Nga dritarja e odës, e cila ndodhej në katin e dytë, Nimoni na i tregonte pozicionet e forcave serbe që nuk ishin më larg se 400-500 m në vijë ajrore.

Të nesërmen në mbrëmje u nisëm për në Gllogjan, ku u takuam me komandantin e Zonës Operative të UÇK-së për Rrafsh të Dukagjinit, z. Ramush Haradinaj.

Pas shkëmbimit të informatave të përgjithshme, biseda u përqendrua për gjendjen në Junik dhe Rekë të Keqe, prej nga vinte edhe major Veseli, prej fshatit Smolicë; se rezistenca kishte filluar atje porse kishin nevojë të ndihmoheshin për organizim dhe se duhej të përforcoheshin e një ushtarak si major Veseli ishte ajo që i duhej asaj treve.

Komandant Ramush Haradinaj, për shkak të specifikave të asaj treve, mori vendim që të formohej si nënzonë operative e UÇK-së.

U kthyem për të zbatuar urdhrin për formonin Shtabit të Nënzonës Operative të UÇK për Junik dhe Rekë të Keqe. Nën komandën e Sali Veselit, nisi konsolidimi ushtarak i shtabeve të fshatrave, formimi i njësiteve, i kompanive, njësiteve dhe i brigadës së UÇK për Rekë të Keqe, ku u përfshinë thuaja të gjitha fshatrat.

Me gjithë përpjekjet dhe arritjet, fryma e pjesëtarëve të UCK qe dhe mbeti e njerëzve vullnetar.

Pjesëtarë të FARK-ut erdhën te UÇK-ja në Junik

Diku rreth dy javë pasi ishte konsoliduar dhe përfunduar organizimi e sistemimi ushtarak i shtabeve të Nënzonës Operative të Junikut e të Rekës së Keqe, ndodhi një zhvillim i këndshëm.

Diku kah fundi i qershorit 1998, erdhën disa pjesëtarë të FARK-ut në Junik, nëse nuk gaboj quhej Brigada 138, me 138 pjesëtarë ku përfshiheshin 23 oficerë dhe epror ushtarak e profesionistë, nën komandën e kolonel Tahir Zemajt.

Kur morëm vesh, të gjithë u gëzuam.

Mbi të gjitha, sepse ato që na i kishte thënë kolonel Ahmet Krasniqi, dolën të vërteta.

Kjo brigadë u stacionua në Jasiq, një paralagje e Junikut.

Komandanti i Shtabit të Nënzonës Operative të UÇK për Rekë të Keqe, majori Sali Veseli, i gëzuar për ardhjen e tyre, organizoi pritje. Por koloneli Zemaj refuzoi. Kjo shkaktoi tensione, më tepër të karakterit procedural të tipit: Ke leje për të hyrë në një zonë ushtarake komandës së të cilës nuk i subordinohesh?

Kishte diçka që nuk shkonte.

Situata u bë e nxehtë dhe potenciale për konflikt.

Kjo ishte gjendja më e rëndë gjatë tërë periudhës së luftës çlirimtare ku unë kam qenë prezent.

Oficeri Naim Maloku, që ishte në strukturën e UÇK-së për Rekën e Keqe, duke qenë se i njihte personalisht disa prej oficerëve të FARK-ut, komunikonte me ta për të gjetur një zgjidhje.

Porse, në këtë nivel lokal ishte zor të arrihej ai objektiv; sidomos kur pretendimet ishin përtej kompetencave të Shtabit të Nënzonës Operative të UÇK-së për Junik dhe Rekë të Keqe.

Kjo gjendje mund të ndryshohej vetëm nga lart.

Ndaj i kam kërkuar leje major Veselit që të shkoj e ta njoftoj komandantin e Zonës, z. Ramush Haradinaj, duke besuar se ai do të menaxhonte situatën. Pasi mu dha leja, u nisa. Në Gllogjan i raportova për gjendjen në Junik. Ramush Haradinaj, me intuitën e komandantit, e kapi saktë rrezikun. Mori armët e tij dhe, pa humbur kohë, u nisëm për në Junik.

Në një odë në Junik, ai i mblodhi të dyja palët dhe arriti zgjidhjen: bashkëpunimin dhe integrimin.

Me urdhrin e Komandant Ramush Haradinajt, Shtabi ynë i Nënzonës organizoi përcjelljen e forcave te FARK- ut në drejtim të Gllogjanit, duke kaluar në afërsi të postblloqeve serbe, por, për fat, pa asnjë incident.

Kështu, nga vullneti i dyanshëm, u evitua një acarim që mund të eskalonte.
As një gërvishtje e vetme e as kacafytje madje nuk pati. Mbretëroi, në fund të fundit, vetëdija kombëtare se ne kemi vetëm një armik – forcat agresore serbe.

Duhet theksuar se edhe kjo brigadë e FARK-ut në uniformat e tyre kishin emblemën e UÇK-së – dhe unë nuk kam parë asnjë pjesëtarë të tyre të kishte ndonjë emblemë tjetër.

UÇK jo se jo por as FARK asnjëherë nuk e ndryshoi kursin e vet kundër forcave ushtarake, policore e paramilitare të Serbisë as ndaj komunitetit serb në Kosovë e lëre më ndaj shqiptarëve – e pikërisht kjo ishte ajo që na përbashkonte.

Dihet se të integruar në radhët e UÇK-së, pjesëtarët e forcave nën komandën e kolonel Tahir Zemajt morën pjesë në fronte lufte kundër forcave pushtuese serbe në Loxhë dhe në fshatin Llukë.

Bashkëveprimi në aksione të përbashkëta në Junik

Një pjesë e forcave të FARK-ut, nën komandën e Rrustem Berishës dhe Agim Ramadanit, mbetën të stacionuara në Junik, në paralagjen Jasiq.

Ata do të bashkërendoheshin në të gjitha aksionet e UÇK-së në mbrojtje të Junikut dhe në aksione të tjera.

Agim Ramadani, si oficer që ishte, pranoi kërkesën e Shtabit të Nënzonës sonë Operative që t’i stërviste ushtarakisht pjesëtarët e UÇK-së. Stërvitja ushtarake ishte nevojë jashtëzakonisht e madhe, pasi që thuaja të gjithë pjesëtarët e UÇK-së ishin vullnetarë dhe nuk kishin as arsimim e madje as përvojë ushtarake. Këto stërvitje bënë të përmirësohej organizimi, megjithëse asnjëherë nuk ndryshoi karakteri vullnetar, për shkak se nuk kishim mekanizma të mirëfilltë institucional për t’i implementuar disiplinat.

Shtabi i Nënzonës sonë të UÇK-së ndërmori një kundërofensivë ndaj rrethimit që forcat serbe i kishin bërë Junikut, në ditët e para të gushtit1998, kur tanket serbe afër paralagjes së quajtur Kallavaj duke e ndarë Junikun nga pjesa tjetër e Rekës së Keqe. Në këtë luftë mori pjesë edhe oficeri Rrustem Berisha.

Asokohe major Sali Veselin e kishin angazhuar në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, kurse për drejtimin e Shtabit të Nënzonës sonë të UÇK-së ishte ngarkuar kapiten Aziz Hyseni.

Më kujtohet, kur, në një rast, Aziz Hyseni i tha Rrustem Berishës se ti je nga kjo trevë dhe ke gradë ushtarake më të lartë se unë, ndaj dhe të takon ta drejtosh luftën dhe urdhëro e merre postin e komandantit, unë po ta liroj vendin. Rrustem Berisha e falënderoi por nuk pranoi.

Si u bë UÇK-ja në Junik?

Përtej këtyre veprimeve me karakter kombëtar, që nuk ishin projektuar por që nga ndërgjegjja kombëtare u bënë si duhet dhe që i tejkaluan ndasitë dhe i kthyen ato në potencial të përbashkët të rezistencës sonë të armatosur – kishte edhe më.

Ka diçka tepër të veçantë dhe njëherësh të jashtëzakonshme që shpreh thelbin e ndërgjegjes së lartë patriotike të shqiptarëve sidomos në Junik, po thuaja edhe në shumicën e vendeve në Kosovë luftës çlirimtare në vitet 1998-1999.

Juniku është tepër i veçantë!

Në të vërtetë, UÇK-ja e Junikut.

Dhe e kam fjalën, për organizimin fillestar të vetë junikasve, kur ata formuan shtabin lokal të UÇK-së për Junik për të organizuar rezistencën e armatosur të Junikut, që e gjetëm veç të krye të detyrës kur grupi ynë i vullnetarëve me major Sali Veselin në krye shkuam në Junik

Veçantia e këtij shtabi ishte përbërja e tij.

Në Junik ekzistonin dy parti politike, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Republikane e Kosovës (PRK). Bashkëpunimi partiak e politik ishte karakteristikë midis këtyre partive në Junik. Dhe po kjo përvojë kombëtare, kishte ndikim edhe në formimin e shtabit lokal të UÇK-së nga junikasit.

Në krye të përgjegjësisë historike në rrethana lufte kishin vendosur me konsensus të plotë që të pushonin aktivitetin partiak dhe të organizoheshin në vetëmbrojtje.

Proporcioni ishte 7 (nga LDK) me 5 (nga PRK), që secili kishte përgjegjësi dhe funksiononin si një trup unik operativ.

Ka edhe më.

Komandant i Shtabit të UÇK-së për Junik u zgjodh Gani Shehu, kryetari i deriatëhershëm i LDK-së; zëvendës komandant u zgjodh Nimon Tofaj, nënkryetari i deriatëhershëm i LDK-së.

Gani Shehu si Komandant e Nimon Tofaj Zëvendës-Komandant u bënë figurat historike të luftës çlirimtare.

Që të gjithët i qëndruan besnikë UÇK-së dhe idealit të çlirimit të atdheut.

Madje Gani Shehu dhe Nimon Tofaj edhe do të plagoseshin.

Gani Shehu, pasi që kishte shkuar për shërim në SHBA, nga atje do të kthehet si komandant i Batalionit “Atlantiku”, që do të marrë pjesë në Operacionin “Shigjeta”.

Fshatrat e Rekës së Keqe ndoqën shembullin e Junikut

Duke u ndodhur në kushte e rrethana të ngjashme si Juniku, fshatrat e Rekës së Keqe i ndikuan dhe ndoqën modelin e organizimit të shtabeve lokale të UÇK-së së secilit fshat.

Në shumicën e tyre.

Mënyra e organizimit të UÇK-së në Junik pati jehonë dhe ndikim në organizimin e rezistencës së armatosur edhe në fshatrat e Rekës së Keqe.

LDK-ja dhe partitë e tjera të fshatrave formuan shtabet e tyre të UÇK-së.

Më pas, nën udhëheqjen e major Sali Veselit, këto shtabe lokale të UÇK-së do të lidhen strukturalisht dhe do të vihen nën Shtabin e Nënzonës Operative të UÇK-së për Junik dhe Rekë të Keqe.

Puna organizative ndonëse, u sendërtua formalisht si strukturë, nuk arriti të vihej mirëfilli në funksion hierarkik ushtarak edhe për shkak se nuk patëm kohë të konsolidoheshim nga që ishim thuaja çdo ditë në luftime, po edhe për shkak se karakteri vullnetar mbeti tipik.

SHBA-së ju dha mesazhi i unitetit kombëtar për luftën çlirimtare

Frymën e krejt këtij uniteti të ndërgjegjshëm kombëtar e shpreh edhe fjalia emblematike që Gani Shehu, Komandanti i Shtabit të UÇK-së për Junik, ia tha ambasadorit Richard Holbrooke.

Ky, realisht, ishte momenti kulmor i takimit të UÇK-së me emisarin special të presidentit Clinton, ambasadorin Holbrooke më 24 qershor 1998 në Junik.

Pasi që unë bëra ekspozenë për objektivat e luftës kundër forcave të armatosura serbe dhe jo kundër civilëve serb dhe për qëllimin përfundimtar të luftës sonë e që ishte çlirimi i Kosovës, Holbrooke iu drejtua Gani Shehut -, e një pyetje të papritur, që tingëllonte edhe si provokim po edhe si nxitje për ta shquar gjendjen reale në terren.

Holbrooke tha: “Ti, si kryetar i LDK-së për Junik, çfarë thua për këto?!”.

Përgjigja e Gani Shehut, pa ekuivokë, konkrete dhe e shkurtë por kristalshëm e qartë ishte edhe saktësisht e vërtetë edhe po aq historike:

“z. Holbrooke, në Junik, LDK dhe UÇK janë një dhe të pandashëm. Nuk ka më këtu parti politike – as LDK as Parti Parlamentare, asnjë. Ka vetëm UÇK, sepse neve po na rrezikohet jeta jonë, familjet tona; qenia shqiptare po na rrezikohet! Prandaj, këtu nuk ka ndasi. UÇK-ja në Junik është unike, një dhe e pandarë. Jemi bashkë, të gjithë jemi UÇK! Nuk ka tjetër!”

Ky pohim, i dha përgjigjen jashtëzakonisht të fuqishme ambasadorit Holbrooke. Ajo mbi të gjitha, ishte e vërtetë, jo vetëm figurativisht, por edhe realisht, për gjendjen në terren dhe raportet midis UÇK-së në Junik që kishte lindur nga LDK dhe PRK.

Kjo përgjigje e Gani Shehut, jo vetëm në sy të Holbrooke tregoi unitetin kombëtar, por shprehte të vërtetën faktike të luftës sonë çlirimtare.

Mbi të gjitha, ishte mesazh për SHBA për unitetin e luftës çlirimtare në Kosovë.

Rezistenca e armatosur në Junik dhe pohimi vulosës i Gani Shehut thënë ambasadorit Holbrooke, tregojnë atë që është e jashtëzakonshme për UÇK-në: madhështinë e luftës çlirimtare, që i ndërgjegjëson njerëzit dhe gjeneron unitet kombëtar.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
D.T.SH. “Tim Mobile” nga Gjakova, shpall të pavlefshme nr. Fiskal:…