Rasti i Arlinda Zekaj, intervistohet drejtorja e Mirëqenies Sociale: Jam gjykuar e linçuar padrejtësisht
Komisioni Hetimor Parlamentar ka intervistuar të premten Albulena Mujaj-Bajraktarajt, drejtoreshë e Mirëqenies Sociale në Komunën e Pejës, lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.
Gjatë raportimit para Komisionit, Mujaj-Bajraktaraj ka deklaruar se nuk ka pasur përgjegjësi të drejtpërdrejtë në trajtimin e rasteve të dhunës, përfshirë rastin e Zekajt, duke theksuar se detyra e saj lidhet me hartimin e politikave për zhvillimin e fushës sociale në nivel lokal.
Ajo ka folur për përgjegjësitë e saj institucionale, kapacitetet e Qendrës për Punë Sociale, si dhe takimin që kishte zhvilluar me të ndjerën pas paraqitjes së rastit në polici.
Në fillim të deklarimit, Mujaj-Bajraktaraj e ka cilësuar këtë si një nga përballjet më të vështira në jetën e saj, duke pretenduar se është gjykuar dhe linçuar padrejtësisht për përgjegjësi që, sipas saj, nuk i takojnë drejtpërdrejt, raporton Ekonomia Online.
“Është një prej përballjeve më të vështira në jetën time, jo në aspektin e punës dhe përgjegjësisë institucionale që më takon, por në aspektin e përgjegjësive njerëzore, pasi atë e kam pasur bashkëvendase. Besoj se padrejtësisht jam gjykuar dhe linçuar me detyrime e përgjegjësi që drejtpërdrejt nuk më takojnë. Unë nuk trajtoj raste drejtpërdrejt, nuk jap mendime dhe nuk marr vendime në raport me fëmijët dhe rastet e dhunës. Jam drejtoreshë politike, në kuptimin që hartoj politika për zhvillimin e fushës sociale në nivel lokal. Kjo është përgjegjësia ime”, ka deklaruar ajo.
E pyetur nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, nëse ishte takuar me Arlinda Zekajn, drejtoresha është përgjigjur pozitivisht, ndërsa ka mohuar pretendimet se e kishte detyruar të ndjerën ta tërhiqte ankesën. “Jo, nuk është e vërtetë”, ka thënë ajo.
Duke folur për takimin, Mujaj-Bajraktaraj ka bërë të ditur se ai ishte zhvilluar të hënën, më 13 korrik, pasi rasti ishte paraqitur në polici të premten, më 10 korrik, në orët e pasdites. “Takimi ynë ka ndodhur menjëherë pas paraqitjes së rastit në polici. Rasti është paraqitur më 10 korrik, ditën e premte, pasdite, sipas raportit të informacionit që kam. Edhe Arlinda ka ardhur menjëherë të hënën. Ka kërkuar takim me mua paradite, sapo kam filluar punën. Normalisht që e kam pritur. Secilin qytetar që kërkon takim me mua jam në dispozicion ta pres, ta udhëzoj dhe ta kryej funksionin për të cilin jam zgjedhur”, është shprehur ajo.
Sipas saj, gjatë takimit Arlinda Zekaj kishte shprehur pakënaqësi lidhur me mënyrën e trajtimit të rastit në polici dhe vlerësimin profesional të bërë nga zyrtarët përkatës.
“Arlinda ka shprehur shqetësime për trajtimin e rastit në polici, ku kishte qenë i pranishëm edhe zyrtari për shërbime sociale. Ka kërkuar që rasti të trajtohet në vazhdimësi me prezencë, përfshirë edhe prezencën e Ambasadës Amerikane, si dhe ka shprehur shqetësim në aspektin profesional të vlerësimit, duke e cilësuar atë si të njëanshëm”, ka deklaruar ajo.
E pyetur nëse kishte ndërmarrë ndonjë veprim pas shqetësimeve të paraqitura nga Zekaj, drejtoresha ka thënë se menjëherë kishte ftuar udhëheqësin e shërbimit social, me qëllim që ai ta udhëzonte të ndjerën për të drejtat dhe procedurat që duhej të ndiqeshin.
“Menjëherë sapo e kam kuptuar arsyen e takimit, e kam ftuar udhëheqësin e shërbimit social, në cilësinë e profesionistit, për ta udhëzuar palën se çfarë të drejtash kishte dhe cilat ishin procedurat në vijim. Udhëheqësi i ka kërkuar Arlindës që të gjitha kërkesat dhe ankesat t’i dorëzonte me shkrim, në mënyrë që më pas të shqyrtohej mënyra e trajtimit të tyre”, ka thënë Mujaj-Bajraktaraj.



