Komuna e Skenderajt dëgjon kërkesat e qytetarëve

26 korrik 2018 | 14:34

Në kuadër të përgatitjeve për hartimin e listës së projekteve kapitale, për periudhën trevjeçare, Komuna e Skenderajt, përkatësisht Drejtoria për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, është duke i mbajtur dëgjimet buxhetore nëpër bashkësi lokale të kësaj komune.

Në këto takime po merr pjesë edhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari së bashku me drejtorët e drejtorive komunale, i cili po i dëgjon nga afër të gjitha shqetësimet dhe kërkesat e qytetarëve për investime në zonat e tyre të banimit.

Nga ana tjetër, meqenëse ky cikël i dëgjimeve është i konceptuar për t’i dëgjuar problemet e qytetarëve sa i përket shërbimeve që ofrojnë autoritetet lokale të Skenderajt, kërkesat e tyre kanë të bëjnë kryesisht me investime në infrastrukturën rrugore, përkatësisht asfaltim të rrugëve brenda fshatrave, sistemin e kanalizimit, ujësjellësit dhe projekte të tjera.

Kryetari i Komunës, Bekim Jashari, në të gjitha këto takime është duke folur për rëndësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve në dëgjimet buxhetore, pasi vetëm ata mund t’i identifikojnë problemet me të cilat ballafaqohen, ndërsa autoritetet komunale pastaj marrin masat e nevojshme për intervenime me anë të projekteve konkrete.

Komuna e Skenderajt po vazhdon angazhimin për të përmbyllur këtë proces të dëgjimeve buxhetore, dhe krejt në fund të tij, kryetari Jashari së bashku me drejtorët komunalë, do të përpilojnë listën e prioriteteve, për të pasuar me fazën e financimit të projektet sipas rëndësisë, gjatë periudhës trevjeçare (2019-2021)

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen…