Komunat kërkojnë të rivlerësohen listat për refuzim të subvencioneve për fermerë

22 maj 2020 | 11:10

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kërkuar nga Ministria e Bujqësisë rishikim dhe vlerësim të listave refuzuese për subvencione për disa fermerë në vend. Në letrën e asociacionit thuhet se fermerët e Kosovës kanë pësuar humbje në aspektin financiar për shkak të pandemisë pasi, sipas tyre, prodhimet e tyre nuk kanë mundur t’i plasojnë në tregje apo t’i eksportojnë jashtë vendit.

AKK ka vlerësuar se pasojat nga vështirësitë e krijuara nga situata me Covid-19 kanë ndikuar në investimet e bëra nga fermerët, e të cilat investime nuk kanë rezultuar në fitim për ta.

“Fermerët e komunave të Kosovës ashtu siç është paraparë me Udhëzimin Administrativ 03/2018 kanë aplikuar për pagesa direkte – subvencione të cilat si procedurë kryhen në komuna, respektivisht në drejtoritë përkatëse komunale. Zyrtarët komunalë nga evidencat dhe vizitat e tyre në teren këtë vit kanë vërejtur një rënie të numrit të aplikacioneve në komuna. Komunat gjithashtu kanë identifikuar që fermerët lider dhe një numër i tyre edhe pse fermer më të mirë, për arsye të ndryshme tani gjenden në listën e zezë duke u bazuar në raportet e inspektorëve të MBPZHR-së”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, ka fermerë që nuk i njohin mjaftueshëm procedurat burokratike të shfrytëzimit të së drejtës për ankesë dhe rrjedhimisht ndodhen në listën e zezë të ministrisë.

AKK thotë se si pasojë fermerët janë përjashtuar më shumë sesa për vitin aplikues.

“Duke pasur parasysh argumentet e lartëcekura, ne si AKK kërkojmë nga Ju që të bëhët një rishikim i kritereve dhe rivlerësim i këtyre listave në mënyrë që të i’u ndihmohet fermerëve që të kalojnë vështirësitë e krijuar për veprimtarinë e tyre me probleme shtesë të krijuara edhe nga pasojat e pandemisë”, thuhet në letrën e tyre.

 

(B. D.: ‘Epoka e re’)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Alban Krasniqi, burri i ministres në detyrë të Drejtësisë, Albulena…