Komuniteti i margjinalizuar rom ende më i përjashtuari në Ballkanin Perëndimor

10 prill 2018 | 10:35

Statistikat e para në shtatë vjet tregojnë rritje të vijimit të mësimit në Ballkanin Perëndimor, por ka dallim në rritje midis romëve dhe joromëve në shëndetësi, punësim dhe strehim

Më shumë vajza dhe djem të margjinalizuar romë po ndjekin arsimin e detyrueshëm në Ballkanin Perëndimor sesa kurrë më parë. Megjithatë, në krahasim me fqinjët e tyre joromë, romët përballen me papunësi dy herë më të lartë dhe kanë më pak të ngjarë ta vizitojnë mjekun kur është e nevojshme ose të bien në gjumë të ngopur. Këto të dhëna dalin nga një sondazh i ri i mbështetur nga Komisioni Evropian dhe i implementuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Banka Botërore, shkruan “Epoka e re”.

Anketa rajonale për romë mbledh për herë të parë, që nga viti 2011, të dhëna për romët e margjinalizuar në Kosovë, Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Mal të Zi dhe Serbi.

Anketa tregon se nivelet e përfundimit të shkollës në mesin e romëve ende mbeten prapa pjesës tjetër të popullsisë, ku vajzat rome janë në fund të listës.
Shkalla e lartë e papunësisë e kombinuar me një numër të madh të rinjve që nuk janë regjistruar në shkollë kontribuojnë në disavantazhin e romëve të rinj të margjinalizuar.

Studimi tregon fusha të tjera ku janë bërë përmirësime të rëndësishme që nga viti 2011 ose janë ende të nevojshme. Për shembull, në shumicën e vendeve romët tani kanë më shumë gjasa të kenë qasje në grumbullimin e mbeturinave.

Ata kanë më pak gjasa të jetojnë në familje të mbipopulluara, edhe pse ende ka dallime të mëdha në raport me fqinjët e tyre joromë. Por, një pjesë e madhe e popullsisë rome ende jeton në zonat pa ujësjellës.

Nga ana tjetër, numri i romëve që tani kanë dokumente personale, si certifikata të lindjes dhe letërnjoftime, është rritur në shumicën e vendeve. Një numër më i vogël i romëve raportojnë që nevoja për kujdes mjekësor nuk përmbushet.

Për shkak se romët përballen me një sërë disavantazhe të tilla, kërkohet qasje e re për t’i adresuar të gjitha aspektet në të njëjtën kohë.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kolegjet “Mehmet Akif” përmes një deklarate për media kanë njoftuar…