
Konceptet kryesore në veprën time “Enciklopedia imagjinare” janë këto
Profesori, studiuesi, poeti dhe prozatori Bajram Kosumi, të mërkurën ka qenë mysafir në edicionin V të Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur, në bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë, në qendrën “Libart”, me të cilin organizatorët dhe të pranishmit kanë zhvilluar një bashkëbisedim. Ai, i pyetur nga moderatori, studiuesi Flamur Maloku, se cilat janë konceptet kryesore që eksplorohen te “Enciklopedia imagjinare”, është përgjigjur: “Koncepti kryesor në libër është krijimi. Ky është koncepti që e kanë sjellë në letërsi poetët e letërsisë nga burgu. E gjen te poezia ime, te poezia e Merxhanit dhe te poezia e Ismail Sylës. Ndoshta me emra të ndryshëm: kërkues, kërkimtar, shtegtar.
Njeriu ekziston në shumë përmasa ekzistencialiste, por pika më kulmore është pika krijuese, pra pika kur ai krijon. Krijimi është një koncept i gjerë: lindja e njeriut është krijim, një vepër arti është krijim, dashuria është krijim, një kopsht me lule apo një kopsht me qepë është krijim. Puna e farkëtarit është krijim. Paraja, jo në vetvete për shkak të vlerës që ka, por ajo para që gjeneron veprimtari të tjera është krijim. Të gjitha këto janë mjeshtri krijuese. Art. Vetëm në këtë pikë njeriu barazohet me Zotin, pra që të dy janë krijues, njëri i gjithësisë, tjetri i elementeve apo i një përmase më të vogël të gjithësisë. Por, që të dy e kanë të njëjtin status: krijues.
Koncepti i dytë kryesor është çasti (koha). Ky është koncept filozofik që e sjell në letërsinë tonë letërsia nga burgu, me emërtimin çasti: derisa koncepti i parë, krijimi, është tërësisht në zotërim të individit, koncepti i kohës është zotërim i huaj, jo i individit, por mundësi e individit. Prandaj, duhet shfrytëzuar maksimalisht, sepse nuk është i yti, të ikën dhe s’e zë kurrë.
Forma më e përkryer jetësore është kombinimi i këtyre dy koncepteve: krijimi e mbush çastin. Besoj, ky është jo vetëm maksimumi i përmasës jetësore të prezantuar me njeriun, por edhe kuptimi i jetës. Vetëm duke krijuar njeriu ndihet perëndi dhe jeta ka një kuptim. Asgjë tjetër nuk është e rëndësishme.
Ka edhe koncepte të tjera të cilat shfaqen, si marrëdhënia e individit me jetën dhe vdekjen, me zotat, me historinë, me natyrën, ose edhe tema ekzistencialiste të njeriut”.
Disa pjesë nga bashkëbisedimi me të i gjeni në llogarinë e gazetës Gazeta “Epoka e re” në “Facebook”. Të tjerat video nga bashkëbisedimi me të do t’i publikojmë deri nesër në këtë kohë./Berat Armagedoni/Epoka e re/
Fotografinë: Zjarr Bujari