Konflikt mes Osmanit e Gërvallës: Ministrja po kërkon nga ambasadat mbledhjen e faturave për shpenzimet gjatë vizitave të presidentes

23 korrik 2025 | 09:59

Dikur para se Vjosa Osmani të bëhej Presidente e Kosovës, bashkë me Donika Gërvallën e formuan partinë “GUXO”. Tash nga miqësia mes dy zonjave që e braktisën LDK-në për të dalë “shpi n’veti”, po del se nuk ka mbetur asgjë. Madje, i kanë shpallur “luftë” njëra tjetrës. Nga Presidenca pretendohet se MPJD e udhëhequr nga Donika Gërvalla, po e lufton përmes faturave.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, po kërkon nga misionet e saj me mbledhjen e faturave, për shpenzimet gjatë vizitave Presidenciale. Por, një kërkesë e tillë nuk është bërë për publikimin e shpenzimeve të kryeministrit apo ministrave të cilët po ashtu kanë shfrytëzuar portofolin e ambasadave për t’i mbuluar shpenzimet në udhëtime zyrtare. Madje raportohet se është kërkuar edhe sa shishe ujë janë konsumuar gjatë vizitave të Osmanit jashtë vendit.

Se a janë në dijeni për këtë kërkesë të MPJD-së ndaj Ambasadave, Gazeta Online Reporteri.net ka pyetur edhe vetë Presidencën e Republikës së Kosovës.

Nga zyra më e lartë e shtetit thanë se për kërkesën në fjalë – e cila u është dërguar disa herë misioneve diplomatike e konsullore të Kosovës – fare nuk janë njoftuar nga MPJD-ja por nga mediat,

Sipas tyre, Presidenca s’ka çfarë të fshehë, prandaj edhe gjithnjë i ka publikuar shpenzimet, ndërsa ambasadat thjesht kanë kryer detyrën e tyre kushtetuese dhe ligjore, duke i pritur delegacionet shtetërore ashtu siç e pret çdo ambasadë shtetin e vet.

Megjithatë, kanë shtuar ata, është e domosdoshme që ambasadave tu kërkohen edhe shpenzimet e institucioneve te tjera.

Sipas Presidencës është e turpshme që ambasadave u kërkohen detaje, sikurse sa shishe ujë janë konsumuar apo sa naftë është harxhuar për vetura për ta dërguar Presidenten në takimet zyrtare.

Nga ana tjetër, nga ambasadat nuk është kërkuar t’i publikojnë edhe shpenzimet që kanë bërë për institucionet e tjera.

“Kjo është një luftë e qartë politike, madje e paparë deri më tani”, thonë nga Presidenca.

Ata po ashtu kanë shprehur shqetësimin për keqpërdorime të mundshme me fatura, ku shpenzime që fare nuk kanë lidhje me Presidenten, mund të paraqiten si të tilla.

“Tendencave të tilla për ta penguar Presidenten në kryerjen e detyrës kushtetuese si udhëheqëse e politikës së jashtme do t’u kundërvihemi me çdo mjet ligjor e kushtetues”, ka përfunduar përgjigjja e Presidencës.

I gjithi konflikti në fjalë nisi kur një medium kërkoi në MPJD që të ketë qasje në shpenzimet e Presidentes Osmani që janë kryer gjatë vizitave të saj të mbuluara nga misionet diplomatike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
U raportua mëngjesin e sotëm për një aksident të rëndë…