Konjufca kërkon mbështetjen e Britanisë për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës

06 janar 2023 | 13:12

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur të premten në takim deputetin David Lammy, njëherësh sekretar i Jashtëm nën hije i Partisë Laburiste në Britaninë e Madhe.

Në takimin e ngrohtë e miqësor është diskutuar për marrëdhëniet e mira dypalëshe dhe mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit të ndërsjellë në të gjitha fushat me interes të përbashkët, si dhe u shkëmbyen mendime në lidhje me zhvillimet aktuale politike në vend, rajon e më gjerë.

Konjufca ka vlerësuar lart mbështetjen e vazhdueshme të Britanisë së Madhe, teksa është shprehur mirënjohës për rolin e saj të veçantë në çlirimin, pavarësinë, shtetndërtimin dhe rrugën integruese euroatlantike të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, Konjufca ka kërkuar nga Britania e Madhe përkrahje të mëtejme për proceset nëpër të cilat po kalon Republika e Kosovës, duke përfshirë fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.

Kryetari i Kuvendit dhe deputeti britanik David Lammy kanë ritheksuar përkushtimin për vazhdimin e partneritetit të fuqishëm dhe gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.​

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prishtina Weather ka njoftuar për parashikimin e motit për pesë…