Konjufca përkujton masakrën e Poklekut dhe Çikatovës së Vjetër: Serbia pushtuese ka kryer gjenocid në Kosovë

17 prill 2022 | 12:49

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka përkujtuar masakrën e Poklekut dhe Çikatovës së Vjetër të Drenasit.

“Në fshatrat Poklek dhe Çikatovë e Vjetër të Drenasit, brenda një dite u vranë mizorisht, u masakruan dhe më pas u dogjën 77 civilë shqiptarë – nga foshnja gjashtëmuajshe e deri tek pleqtë. Në mesin e tyre edhe shkrimtari për fëmijë Ymer Elshani me familjen e tij”, ka shkruar Konjufca në llogarinë e vet në “Facebook”.

Konjufca ka thënë se pa u vënë drejtësia në vend dhe pa u dënuar të gjithë kriminelët, nuk mund të ketë prehje për viktimat e gjenocidit serb dhe as ngushëllim për familjarët e tyre.

Postimi i plotë i tij:

17 prilli 1999 na i kujton dy nga masakrat më barbare të Serbisë në Kosovë.
Në fshatrat Poklek dhe Çikatovë e Vjetër të Drenasit, brenda një dite u vranë mizorisht, u masakruan dhe më pas u dogjën 77 civilë shqiptarë – nga foshnja gjashtëmuajshe e deri tek pleqtë. Në mesin e tyre edhe shkrimtari për fëmijë Ymer Elshani me familjen e tij.
Po këtë ditë dhe të nesërmen, në Hade të Obiliqit, ushtarët e policët serbë masakruan e vranë edhe 12 banorë të këtij fshati.
Sa herë i përkujtojmë ditët e kobshme si këto të popullit tonë, e ndjejmë dhe e kuptojmë edhe më mirë çmimin e shtrenjtë që e kemi paguar për lirinë e pavarësinë e Republikës.
Serbia pushtuese ka kryer gjenocid në Kosovë. Por edhe sot, kur po mbushen 23 vjet, shumë urdhërdhënës dhe ekzekutorë, që kanë qenë organizatorë dhe pjesëmarrës në këtë gjenocid, ende janë të lirë në Serbi. Për më keq, në vend që të jenë në bankën e të akuzuarve, ministrat e Millosheviqit sot janë në krye të Serbisë.
Pa u vënë drejtësia në vend dhe pa u dënuar të gjithë kriminelët, nuk mund të ketë prehje për viktimat e gjenocidit serb dhe as ngushëllim për familjarët e tyre.
Prandaj, përveç kujtimit të lavdishëm, do të lëvizim çdo gur që të sigurojmë drejtësi për të gjithë të rënët.
Lavdi e përjetshme!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të premten, Donald Veshaj, Romeo Veshaj dhe Elgit Doda kanë…