Konjufca takohet me Ruçin, bisedojnë për avancimin e bashkëpunimit ndërparlamentar
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka nisur vizitën zyrtare në Republikën e Shqipërisë, ku fillimisht është takuar me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi.
Konjufca ka bërë me dije se me Ruçin ka biseduar për avancimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe ndërshtetëror, shkruan “Epoka e re”.
“Vizitën time të parë zyrtare si kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës zgjodha ta realizoj pikërisht në Shqipëri. Dhe, në kuadër të kësaj vizite, kisha kënaqësinë e veçantë të takoja fillimisht Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi. Takimi me z. Ruçi shënon edhe një shtytje të rëndësishme në avancimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe ndërshtetëror.
Prandaj, në një atmosferë të përzemërt dhe tejet vëllazërore, me z. Ruçi diskutuam për shkëmbimin e përvojave dhe intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës”, ka shkruar Konjufca në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se mbeten të përkushtuar që t’i eliminojnë të gjitha barrierat në mes të dy shteteve.
“Në takim dominoi pajtueshmëria e plotë dhe vullneti i dyanshëm për dinamizimin dhe fuqizimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit, harmonizimin e agjendave me interes mbarëkombëtar, bashkërendimin dhe unifikimin e hapave gjatë proceseve integruese rajonale dhe euro-atlantike të dy shteteve tona. Mbetemi të përkushtuar që kufirin e padrejtë mes nesh ta bëjmë jo vetëm sa më të padukshëm, por edhe inekzistent në një të ardhme”, ka shkruar Konjufca.



