
Konjufca takon presidentin kroat, flasin për forcimin e partneritetit strategjik
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim presidentin e Kroacisë, Zoran Milanović, me të cilin ka diskutuar për aktualitetin politik, pandeminë, situatën energjetike, ekonominë dhe zhvillimet rajonale.
Sipas njoftimit të Kuvendit, Konjufca ka falënderuar presidentin kroat për mbështetjen koherente të shtetit kroat ndaj Kosovës, ndërsa ka shprehur mirënjohje për kontributin e pjesëtarëve të ushtrisë kroate në kuadër të KFOR-it.
Ai po ashtu ka vlerësuar se orientim parësor i Republikës së Kosovës mbetet perspektiva evropiane dhe anëtarësimi në NATO e organizata të tjera ndërkombëtare.
Edhe me këtë rast, kreu i Kuvendit shprehu përkushtimin për forcimin e partneritetit strategjik dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fusha të interesit të dyanshëm, si dhe domosdonë e koordinimit të veprimeve në kuadër të zhvillimeve rajonale e ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanović konfirmoi gatishmërinë për intensifikimin e marrëdhënieve bilaterale dhe gjithashtu edhe mbështetjen e shtetit të tij për Kosovën, me theks të veçantë në procesin e njohjes nga 5 vendet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur, liberalizimin e vizave dhe integrimin euro-atlantik.