Konjufca thotë se përkrahja e Norvegjisë për Kosovën është e domosdoshme

23 janar 2020 | 15:12

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka takuar sot ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grondahl, me të cilin ka biseduar për marrëdhëniet e deritashme ndërmjet dy vendeve dhe zhvillimet aktuale politike në vend dhe rajon.

Konjufca ka vlerësuar lart mbështetjen e deritashme të Norvegjisë për Kosovën në shumë fusha, ndërsa ka theksuar domosdoshmërinë që kjo përkrahje të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Ai ka thënë se perspektiva evropiane e Kosovës është rruga të cilën e përkrahin pa dallim të gjitha institucionet dhe spektri politik në vend, andaj përkushtimi për përmbushjen e detyrave që përshpejtojnë këtë proces është punë me prioritet.

Ndërsa ambasadori Grondahl, duke uruar kryeparlamentarin Konjufca për zgjedhjen e tij në krye të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se Norvegjia ka qenë afër Kosovës në të gjitha fazat e zhvillimit të saj, duke dhënë kontribut të çmueshëm në këtë drejtim.

Ai ka shprehur gatishmërinë e shtetit të tij për të përkrahur Kuvendin e Kosovës, nëpërmjet projekteve që lehtësojnë punën e administratës dhe të ligjvënësve.

Bashkëbiseduesit janë pajtuar se ka vend dhe hapësirë që Kosova dhe Norvegjia të avancojnë bashkëpunimin ndërparlamentar, pastaj në ekonomi, arsim, kulturë dhe sferat tjera me interes për të dyja vendet.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesit e Odës së Afarizmit të Kosovës janë pritur të…