Konsensusi i partive politike, kyç në implementimin e agjendës evropiane

14 tetor 2021 | 14:20

Bashkimi Evropian (BE) pret më shumë bashkëpunim mes Qeverisë e Kuvendit në reformat e agjendës evropiane. Kështu u tha të enjten në tryezën “Agjenda për Reforma Evropiane II”, të organizuar nga Pips dhe Lëvizja Fol.

Përfaqësuesja e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Katerina Lopo, ka bërë thirrje unitet politik në implementimin e agjendës evropiane.

Gjatë fjalës së saj në tryezën “Agjenda për Reforma Evropiane II”, të organizuar nga Pips dhe Lëvizja Fol, Lopo ka theksuar se presin nga Qeveria dhe Kuvendi vendime që nuk janë në kundërshtim me ERA-n.

Ajo ka thënë se pas dy vjetësh pret të ketë të zbatuar planin e veprimit të ERA II. “Të gjithë ne kemi përgjegjësi të madhe për të përshpejtuar reformat e BE-së. E di se ka pasur shumë paqëndrueshmëri politike, bashkëpunimi i institucioneve do të ishte i mirë, por mendojmë që kemi një qeveri të re dhe një ERA të re, për të cilën do të thosha se është ERA e vjetër. Nevojitet unitet dhe gatishmëri e madhe politike që të vazhdojmë me këto reforma të thella që do të donim t’i shohim të realizohen. Do të dëshironim shumë që shoqëria civile të jetë e angazhuar në mënyrë proaktive në monitorim të zbatimit të ERA-s. Do të dëshironim të shohim më shumë fokus në reformat që ndërlidhen me BE-në dhe do të dëshironim të shohim më shumë bashkëpunim mes Qeverisë dhe Kuvendit, që të ketë më shumë konsensus”, ka deklaruar Lopo.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), njëherësh anëtare e Komisionit për Integrime Evropiane, Blerta Deliu-Kodra ka drejtuar kritika për Qeverinë Kurti, duke thënë se nuk zbatohet agjenda evropiane duke punësuar militantë partiakë nëpër borde.

Edhe drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha ishte kritik për mungesën e përfaqësuesve të institucioneve në këtë diskutim për agjendën evropiane ERA II.

Ai ka thënë se është zhgënjyese që procesi i integrimit evropian është pakuar dhe se dialogu vjen para zgjerimit.
Prezantimin e analizës së Pips e bëri Delfinë Elshani, e cila ka theksuar se në vitin 2019 janë zbatuar 74 për qind të prioriteteve të ERA I.

Sa i përket ERA II, ajo ka thënë se është kritike të kapërcehen pengesat e përjetuara më parë, për çka dha edhe rekomandimet që kanë përpiluar.

“Gjatë hartimit dhe miratimit të ligjeve dhe dokumenteve të ndryshme duhet të shmanget logjika e ‘ticking the box’, në mënyrë që këto iniciativa të kenë një ndikim sa më pozitiv në mirëqenien e qytetarëve dhe të sigurojnë rezultate të prekshme në sundim të ligjit, në zhvillim ekonomik dhe në përmirësim të perspektivës së arsimit dhe guximit. Një rekomandim tjetër është edhe forcimi i bashkëpunimit mes të gjithë akterëve, bizneseve, shoqërisë civile. Qeveria duhet të ndërrojë qasjen dhe duhet të ketë një qasje më proaktive në përshpejtim të zbatimit të këtyre reformave në mënyrë që të arrihen rezultate sa më të dukshme. Gjithashtu, institucionet të cilat nuk zbatojnë veprimet si në kohë apo edhe dështojnë në zbatim të përgjithshëm, duhet të mbahen përgjegjëse”, ka thënë Elshani.

Ndërsa Venera Ramaj nga Ambasada e Holandës ka pohuar se është e rëndësishme që të intensifikohet përpjekjet për zbatimin e reformave të BE-së, pasi ato janë kyçe për integrimin e Kosovës.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasada Britanike në Prishtinë ka reaguar pas ngjarjeve të ditës…