Korifeu i valles shqiptare

27 janar 2022 | 08:51

Haki Mulliqi

Mbase asnjë prej artistëve të mëdhenj të skenave shqiptare nuk iku heshtur dhe gati “ tinëzisht “ si Marsel Tupeci, korifeu i valles shqiptare. Iku nga ky ambient i amullt, në vetmi dhe heshtur, siç ishte i heshtur përjetësisht. Ndoshta dikush do të thotë se iku ashtu siç e kanë zakon të ikin artistët e mëdhenj. Artistët e njëmendtë…

Ç’traditë e çuditshme!

Ndërsa dhembë sot, kaq vite pas ikjes së Marsel Tupecit, ne heshtim dhe shtiremi, madje as që dimë se artisti ka vdekur. Kjo heshtje përcëllon dhe dhemb. Por, është edhe groteske në ambientin tonë grotesk kulturor.

Ishte kënaqësi dhe nder që mund ta njihja nga skena, në lojën e tij gracioze, në lëvizjet dhe figura koreografike që thurte me mjeshtëri të rrallë me interpretimin e tij virtuoz. Një artist i papërsëritshëm i skenës sonë. Valltari që u shndërrua në legjendë.

Që nga fillimi i punës i Ansamblit Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, Marseli ishte aty. Ai i përket një familjeje artistësh, të cilët i dhuruan shumë kulturës shqiptare, në veçanti këngës dhe artit koreografik shqiptar. Ndër të parët në ansamblin “Shota” ishte edhe vëllai i tij Zefi, motra Elsa, ndërkaq më vonë edhe mbesa e tij Afërdita.

Marseli, apo Celi siç e quanim ne, në festivalin e Dizhonit ( Francë ) 1986, mori mirënjohje si valltari më i mirë i festivalit, sukses që nuk e përsëriti askush deri më sot. Janë te paharrueshme pjesët solistike të Mareselit në “Vallen e Rugovës”, “Vallen me Jatagana”, “Vallen e shqipeve”, “Pehlivanët”, si dhe numrat e tij si korife në vallet : “Dasma e Opojës”, “Përdrini”, “Mozaiku” si dhe në shumë koreografi nga trevat dhe kombe të ndryshme nga ish-Jugosllavia.

Celi, i vlerësuar lartë nga shumë koreograf, kritik të artit koreografik dhe në veçanti nga artdashësit e shumtë të kërcimit popullor shqiptar, gjithnjë shkëlqente në skenë, por numrat e karakterit epik dhe epiko-lirik të luajtur nga ai do të mbesin të papërsëritshëm ndër kërcimtarët dhe skenat shqiptare.

Pas largimit të dhunshëm të Ansamblit “Shota” nga objekti i vet, nga pushteti okupues serb më 1991, Celi me disa artistë të tjerë gjeti forcë dhe guxim për të vazhduar punën me përkushtim në ansambël duke mbajtur gjallë gjenin kombëtar, frymën dhe traditën kombëtare në mbarëvajtjen dhe aktivitetin e ansamblit për gati një dekadë.

Prezantimet në koncerte dhe festivale të shumta në Kosovë dhe jashtë vendit, gjatë kësaj periudhe ishin madhështore, duke rrëmbyer mirënjohje edhe çmimet kryesore. Më 1994 turne e jashtëzakonshme në disa qytete të mëdha të Turqisë; Festivali Mbarëkombëtarë në Sarandë, (1996) çmimi i parë i festivalit; festivale në Maqedoni, Zvicër, Francë, Turqi…

Celi ishte figurë e përmasave ndërkombëtare e vallëzimit të karakterit popullor. Ai iku, ndërkaq ne ngelëm brenda groteskut, një grotesk me shumë akte, groteskë që po na përsëritët vazhdimisht.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dr. Lirak Karjagdiu   (Një vëzhgim mbi monografinë Skënderbeu dhe shqiptarët…